Shqiptarja ia kushtoi jetën e saj të varfërve, të sëmurëve, atyre që askush nuk i donte më dhe thoshte që i përkiste plotësisht Jezusit. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Kur ishte gjallë cilësohej si “një shenjtore e gjallë”, sot pas 19 vjetësh nga vdekja, Nënë Tereza, nobelistja e paqes, gruaja më e thjeshtë dhe më madhështore e botës merr zyrtarisht këtë titull gjatë një ceremonie në sheshin San Pietro në Vatikan. Pas ceremonisë që do mbahet sot në orën 10:30, data 4 do të shënohet në kalendarin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.

Kjo është një nga ngjarjet më të pritura të jubileut, është edhe hapi i fundit i rrugës kishtare të Nënë Terezës së Kalkutës, një prej figurave më të njohura në historinë e katolicizmit të shekullit të njëzet.

Ditën e sotme në Sheshin e “Shën Pjetrit” do të ketë delegacione nga 15 vende të botës, që do të marrin pjesë në ceremoni. Ceremonia e ditës së sotme do të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Rreth 2000 policë do të jenë në gatishmëri përgjatë 24 orëve në Romë. Frika e një sulmi të mundshëm terrorist ka angazhuar edhe forcat speciale si dhe ato sekrete.

Mesha ne në Bazilikën e Shën Pjetrit mbahet në disa gjuhë dhe së fundi, në gjuhën e Nënë Terezës, në shqip, do të thuhet lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.

Të pranishëm sot në Vatikan do jenë edhe krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti Bujar Nishani, Zonja e Parë, Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i PD, Basha do të jenë sot në selinë e shenjtë. Në Vatikan do të jenë edhe drejtuesit e besimeve fetare në Shqipëri.

“Do të jetë një gëzim i madh ta shikojmë shenjtore, e meriton”, janë fjalët e Papa Françeskut, në prag të ceremonisë së shenjtërimit.

Papa Françeksu firmosi në 15 mars 2016 dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Më 17 dhjetorin e kaluar Papa Françesku ka firmosur dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar, të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit. Më 19 tetor të 2003 Papa Gjon Pali i II e shpalli Nënë Terezën të “E lume” e sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit, më datën 5 shtator. Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.

Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim rrace, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën dhe dinjitetin e të varfërve u dha atyre, që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, vetëdijen se nuk ishin të tepërt, se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e Mëshirë për të gjitha krijesat e veta.