Shumë nga gjimnazistët që studiojnë në shkollën profesionale “Beqir Çela” në Durrës po e projektojnë të ardhmen e tyre në vendet e BE-së. Pagesat e larta dhe nevoja e tregut të huaj për zanate si hidraulik, elektriçist, auto-mekanik etj i shtyjnë këta adoleshentë drejt emigrimit.

Fakti pranohet edhe nga drejtori i kësaj shkolle, Fatmir Mërkuri.

60 vite eksperiencë e shkollës profesionale “Beqir Çela” e bën atë mjaft të preferuar nga nxënësit që përfundojnë ciklin 9-vjeçar dhe janë në kërkim të një profesioni. Sipas Mërkurit dhe nxënësve që aktualisht frekuentojnë këtë shkollë, arsimi profesional u hap shumë dyer për punësim në një të ardhme të afërt.

Shkolla “Beqir Çela” organizonte sot panairin “Dyert e hapura”, ku gjimnazistët ekspozonin shumë nga punimet profesionale të realizuara gjatë orëve mësimore dhe punës në grup. Për të gjithë ata 15-16 vjeçarë që duan t’i përkushtohen vitin e ardhshëm mësimor studimeve profesionale, Mërkuri dha lajmin e mirë, se shkolla tashmë është në proces akreditimi dhe diploma e saj do të njihet në të gjitha vendet e BE-së.