NGA BUJAR QESJA
Vite aktive pune këto të mijat edhe pse kam hyrë në vitet 70-të të jetës time. Është kohë e mbushur me emocione, me mbresa dhe përjetime, me retrospektivë, por edhe më lëng optimist shoqëror në vijimësi. Kemi punuar shumë dhe vlen kjo ngarkesë, pasi jemi ulur me njerëzit dhe kemi përfituar nga filozofia e tyre. Po, po filozofi. Modesti, shumë thjeshtësi, energji pozitive kap nga njerëzit, aq më shumë kur të duan dhe të respektojnë.
Kështu më ndodhi edhe në këtë të premte, të 4 marsit 2022. Më ofrohet një mesoburrë, me pak flokë, me një pamje disi të lodhur por optimiste.
-Erdha të takoj, më tha. Kam mall. Nuk e harroj se çfarë ke shkruar për ne!
U stepa disi. Përqendrova vëmëndjen dhe vura në përdorim intuitën e një 71 vjeçari. Nuk doja të dorëzohesha për t’i thënë që s’të mbaj mënd. Fati më fali reagimin dhe njëheraz brofa:
-Tim Kapidani!
Hezitova paksa dhe po humbisja rastin e një riti tradicional.
– Kam ardhë vetëm me të takuar ty. Do të qëndroj 3-4 ditë. Të dielën nisem për rrugë. Kam ardhë të rregulloj varret e prindërve të mi. Nuk rri ditë pa i kujtuar.
Shpejt i dhashë shansin vetes, që ta ftoja Tim Kapidanin në “strofkën” time ta mallit dhe të relaksit. Aty vijnë edhe dy vëllezërit Ngresi- Sotiri dhe Iliri dhe konsumuam me mikun e hershëm minuta të vlefshme, plot mall, plot bukuri shpirtërore. Janë minuta që i duam në këtë kohë që jemi ndarë jo pak, takohemi shumë rrallë dhe nuk po dimë se çfarë po bëhet në jetën e secilit. Iu luta Ilirit të bënim një foto me Tim Kapidanin, i cili më përqafoi duke ma çmuar propozimin.
Shpëtim Kapidani është i datëlindjes 9 shtator 1971. Është tani gjysëm shekullor. Është gjithashtu dhe gjerdani i artë i futbollit durrsak, që lulëzoi në fillim të viteve 90-të dhe që kulmoi për herë të parë, me titullin kampion në pranverën e vitit 1994. Në atë vit, ky Tim Kapidani kishte mbi kurriz 23 vite jetë.
Nuk harroi të më vlerësonte punën ky spitallas zemërflori, duke më kujtuar që në atë titull historik ishte prezent edhe lapsi im, edhe figura ime, edhe zëri im. E gjitha kjo i përshtatet gjykimit, se ia vlente ta ngreje sa më lart, lartësinë ku u ngrit futbolli i Edmond Mihas, Bashkim Kokës dhe Stavri Nicës. Edhe unë, por edhe Tim Kapidani donim të kujtonin se ky brez i florinjtë, kishte në përbërje talente që ia zbardhën faqen futbollit të Durrësit, por edhe qytetarisë durrsake. Nuk e kundërshtuam njëri tjetrin kur vendosëm të shënojmë si të domosdoshëm në memorien historike të kampionit të 94-trës Abazin, Kapllanin dhe Shtamën, Furrxhiun, Xhakonin, Alliun, Mehmetin, Dishën, Dashin, Qendron, Zallën, Frahollin, Koçan (Eltonin simpatik), Begeja, Ardian Bushi, Vila, Dobi, Xhai, Çanaku, Kalaja, Kuçi etj.
Kishim mall dhe shumë kujtime. E ftova të ulej në karriket e mia që kam për njerëzit, takimi me të cilët më josh, më gëzon dhe më kënaq duke tentuar ti ulë vitet e mia të moshës.
-Ku po punon mor djali i Adem Kapidanit?
-Jam në një benzinatë, por që pronari i saj ka edhe mjaft lokale të cilat i administroj unë. Është në një rrugë kryesore, ku pas vjen qyteti i skajshëm i Komos. Kam një vajzë dhe jam përpjekur të akomodohem në jetën italiane. Punoj shumë, lodhem madje, por gëzohem me punën që bëj.
Ngas bisedën, duke i thënë se tek unë kanë ardhë të më takojnë Nesti Qendro, Alvaro Zalla, të tërë futbollistë të asaj kohe nxitëse për të mos e harruar. Ju kisha si djemtë e mi dhe bëra çmos t’ua çfaqja cilësitë, treguesit e një pune të jashtëzakonshme. Tani jemi në kohë të tjera. Ju po luftoni për të justifikuar jetesën komode, por që arrihet mes sakrificash dhe unë për të ecur plot sentiment, drejt një epilogu që dua ta zgjas sa më shumë.
Pasi i uruam njëri tjetrit fat e mbarësi, ndahemi me bindjen për t’u takuar sërish, duke sjellur të tjera sentimente, që janë pjesë e memories dhe kujtimeve tona nga më të bukurat. Në fund të fundit kjo është jeta dhe ne jemi personazhe aktive të saj.
-Mirëse të vish Tim Kapidani, të pres!
Durrës: 4 maras 2022