Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve për problemet që kanë hasur me dokumentet e pronësisë në Kadastër.
Në një takim të posaçëm ku njoftoi reformën në Kadastrën Shtetërore, Rama tha se ky institucion ka qenë i përfshirë nga korrupsioni nga zyrtarë të institucionit, por dhe ministra, deputetë e kryetarë bashkish.
Kadastra, siç tha Rama, duhet të jetë banka e pasurisë së patundshme të qytetarëve.
“E vërteta e parë është se ne nuk kemi arritur edhe pse kemi pasur kohë të gjatë, që ta transformojmë Kadastrën në atë që ajo është në të vërtetë. Kadastra është bankë. Është njësoj si Banka Qendrore e Republikës së Shqipërisë, njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve dhe ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë, Kadastra nuk është një fole për qoka, për gjthëfarë lloji njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë punë.
Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme në radhë të parë nga ju. Kur them nga ju nuk kam parasysh secilin prej jush personalisht, por kategorinë që përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar më tutje të gjithë ata që kanë sadopak pushtet, që i kanë dhënë vetes të drejtën të intereferojnë me Kadastrën si të ishte një rifuxhio pekatorium për të gjitha llojet e nevojave, që nga influenca për emërimet e drejtuesve, influencë deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër deri në imponim, tek influenca për mbështetje për njërin e për tjetrin e duke penguar Kadastrën që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurtë e pronës së patundshme të shqiptarëve. Kjo është më e hidhura e vërtetë.
Mezi kam pritur të vijë dita të them këtë që do të them tani ditën e hënë më 3 korrik kadastra nuk është më e aksesueshme për asnjë nga ju. Askush brenda në kadastër nuk do të mundet të përgjigjet edhe sikur të dojë, asnjë nga kushërinjtë që keni futur në kadastër asnjë nga ata që gjasme ka dhënë jetën për PS-në nuk do të ketë më gjë në dorë. Nga tre korriku kadastra do të jetë digjitale. Askush nuk do të ketë mundësi të devijojë sipas dëshirës, nuk do të ketë më zgjidh t’i se kujt t’i shërbesh. Nga tre korriku punonjësi do të ketë para çfarë t’i nxjerrë kompjuteri. Askush nuk do të gjejë fillin se si do të trajtohet prona përveç makinerisë digjitale. Qytetarët të mos shkojnë më në kadastër se nuk i pret më askush. Kadastra tashmë do të jetë në dritare përmes e-Albanias, aty do të vije dokumenti me vulë elektronike i patjetërsueshëm. Sistemi do të jetë i tillë që çdo njeri i interesuar do të shohë se ku është ecuria e procesit. Që një makineri e tillë të përgjigjet duhet që të dhënat t’i ketë të aksesueshme. Arkivat e mbushura me letra nuk janë më të askesueshme dhe askush nuk mund të shkojë të fusë një pronë e të heqë të dikujt tjetër. Kjo periudhë ka përfunduar. Do të ketë probleme e ngecje nejsoj si atëherë kur hoqëm sportelet. Njerëzit që nuk kanë mundëi të kapin për krahu deputetin e kryetarin e bashkisë, e kanë zgjidhjen e tyre dhe janë përdoruesit më të rregullt të gjithë platformave digjitale. Kur na thanë që do të jetë dështim kemi pasur edhe numrin më të lartë të aplikimeve nga të gjithë majat e maleve. Vulat e njoma ishin si armët kemi bërë një progres të madh që i kemi mbledhur. Njeriu që pronën e ka nga stërgjyshi duhej të varej nga vula e njomë e dikujt.“