Më 31 dhjetor 2013, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi i Kurbinit, është dëmtuar me eksploziv shtylla e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë
DURRËS, 2 janar 2014 – Ardhja e vitit të ri 2014 “përshëndetet” me tritol, duke prerë këmbë shtylle tensioni të lartë me mesazhi se autorët janë kundër ngritjes së çmimit të naftës dhe taksës progresive. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar më 2 janar 2014 për një ngjarje të rëndë, e cilësuar prej këtij dikasteri si “akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë” dhe që ka ndodhur më 31 dhjetor 2013, rreth orës 18:00 në vendin e quajtur Nderlalaj, në Milot, rrethi i Kurbinit. Është dëmtuar me eksploziv shtylla e linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë. Nga shpërthimi me lëndë eksplozive është këputur njëra këmbë e shtyllës në lartësinë 10 metra nga toka. Ndërkohë në këmbën tjetër të kësaj shtylle, në lartësi 10 metra nga toka, është gjetur një sasi prej 16 kallëpe tritoli me peshë prej 6.4 kilogramë, në të cilën ishte vendosur një kapsollë detonatore me fitil zjarr-përcjellës. Policia me të marrë njoftim ka mbërritur në vendngjarje dhe ekspertët xhenierë kanë bërë çaktivizimin e eksplozivit të pashpërthyer. Policia ka administruar të gjitha provat që janë gjetur në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekspertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore. Në njërën nga këmbët e shtyllës policia ka gjetur dy kartonë, njëri me mbishkrimin NAFTA dhe tjetri me mbishkrimin TAKSAT, të cilat ishin të ngjitura me ngjitëse natriban në shtyllë. Shtylla objekt sulmi ndodhet në një faqe mali në afërsi të rrugës së vjetër Milot-Burrel pranë urës me harqe. Policia po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij akti terrorist si dhe identifikimin e kapjen e autorëve të saj. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Kurbin për veprën penale “Shkatërrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal. Ky është akti i parë terrorist në Republikën e Shqipërisë që shoqërohet me mesazhe të qarta të lëna në vendngjarje nga autorët e vetë aktit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





