Një dasmë në Malësi të Madhe në kohë COVID-i ka sjellë një furtunë në Policinë e Shtetit dhe të Burgjeve. Në ditët e fundit në rrjetet sociale bëri xhiro një video ku shfaqen tre efektivë të burgut të Reçit duke kërcyer me nusen në një dasmë me uniformën e policisë dhe pistoletë në brez.
Tre policët e burgjeve janë pezulluar nga puna, ndërsa ka nisur hetimi disiplinor edhe për eprorin e tyre në burgun e Reçit.
Përpos gjobitjes me një milion lekë të pronarit të lokalit ku u organizua dasma me inicialet E. R., Policia e Shtetit ka marrë masa të forta për strukturat në Malësi të Madhe.
Shtatë punonjës me shefin e komisariatit të Malësisë së Madhe në krye janë pezulluar nga detyra me argumentin se nuk kishin ushtruar kontroll për zbatimin e masave, pasi dasma u zhvillua kundër masave anti-COVID.
Të pezulluar nga detyra:
Shefi komisariatit Malësi e Madhe – Leonard Ndreka
Shefi i Rendit – Skerdi Kasimati
Shefi i Krimeve – Klodian Ceka
Specialisti i policisë kriminale – Jakup Reka
Specialisti i zonës – Nikolin Rushaj
Skender Kazazi, Anton Malotaj – nga patrulla e përgjithshme





