Në mes të zhurmës së metrosë së famshme të Times Square në New York, e gjithë rrëmujës prej turistëve, syri ndalet tek një qoshe. Maria, 31-vjeç është nga Ekuadori dhe thuajse çdo ditë të jetës së saj e kalon në këtë metro. Atje, në pjesën e poshtme të qytetit, ajo fiton paratë për të mbijetuar.

Në shpinë ajo mban vajzën e saj 2-vjeçare dhe në duar një kuti shumëngjyrëshe plot me karamele e çokollata. Teksa ecën nga njëra anë e metrosë te tjera, Maria përsërit “karamele” dhe “dollarë”, dy fjalët nga të paktat që di në anglisht, duke shpresuar t’i shesë. Shumica e njerëzve, megjithatë, as nuk e vënë re. Ka nga atja që madje i kthehen ashpër, shprehet Maria.

New York City është mbërthyer nga kriza e madhe e emigrantëve, me më shumë se 113 mijë aplikantë për azil prej vitit të shkuar.

Njerëzit na ofendojnë ose na filmojnë pa na marrë leje, duke na akuzuar padrejtësisht për sjellje të pahijshme”, thotë Maria. “Ata nuk e kuptojnë situatën tonë.” Madje, Maria nuk është emri i saj i vërtetë, është thjesht një pseudonim që ajo detyrohet të përdorë në mënyrë që mos ta denoncojnë në polici. Ka një numër të lartë të ekuadorianëve që shesin karamele nëpër metro.

Për mediat e huaja, Maria thotë se këtë punë bënte dhe kur ishte në Cotopaxi, qyteti i saj i lindjes. Por është gjithashtu një domosdoshmëri sepse në kushtet kur nuk ka autorizim për të qëndruar në US, të gjesh punë është e pamundur.

Në të rrallat herë kur ajo i shet karamelet, fiton maksimalisht një dollarë ose dy. Pas 13 orëve intensive pune, nga ora 7 e mëngjesit ajo kthehet në shtëpi me 50 dollarë në ditën e saj më të mirë, e vetëm 10 në ditë normale.

“Vala e tretë e emigrantëve nga Ekuadori”

Nga fundi i Shtatorit, kufirin e SHBA-së kanë kaluar 117 487 ekuadorianë, 4 herë më shumë se totali i gjithë vitit. Kjo konsiderohet vala e tretë më e madhe e emigrantëve që prej vitti 1980. Varfëria ekstreme dhe dhuna në nivele alarmante prej trafikantëve të drogës i ka detyruar ata të lënë vendin e tyre.

Vitin e kaluar, sipas statistikave kishte 25 vrasje për 100 mijë banorë. Ndërsa në 2023-in situata përshkallëzoi. Vrasjet në Ekuador po bëhen gjithnjë e më shqetësuese.

Maria thotë se ka parë shumë fqinj të saj të ekzekutohen pa pasur asnjë faj. “Ekuadori është bërë shumë i rrezikshëm, atje jetohet me frikë”, thotë ajo. Ajo u largua prej atje përmes xhunglës që lidh Amerikën Jugore me atë Qendrore. Ajo udhëtoi për thuajse dy muaj për të arritur në destinacion, herë në këmbë e herë duke kapur autobusë.

Tashmë ajo jeton në Elmhurst, Queens në një hapësirë të vogël që kurshërira e saj i ka ofruar, por sigurisht jo falas. Ajo paguan 800 dollarë në muaj.

Por pse është e rrezikshme të shesësh karamele?

Të shesësh karamele në Ekuador është një punë normale për gratë. Por në New York kjo punë gjobitet. Dhe Maria është gjithjë duke parë vërdallë për uniforma policie, në mënyrë që t’ju shmanget.

Veç kësaj, ajo rrezikon dhe burgun sepse ka me vete vajzën e saj të mitur, dhe fare lehtë mund të akuzohet për “abuzim me të mitur”. Por, ajo nuk ka kujt ia beson vogëlushen, prandaj e mban në shpinë. Përveç saj, mban karamelet e shishen e qumështit, të cilën mezi e siguron. Duket sikur ajo ka vënë një balancë: shet karamele dhe njëkohësisht kujdeset për të bijën, nuk ka asnjë opsion tjetër.