Trajneri i portierëve të Teutës, Bledjan Rizvani, u shpreh tepër i emocionuar për suksesin e arritur me skuadrën durrsake.

Ish-gardiani foli për raportin special me Stivi Frashërin, duke shprehur zhgënjim që ai nuk u përfshi në listën e Kombëtares.

“Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë bashkë me Frashërin. Flasim edhe për gabimet, edhe për gjithçka çfarë shkon mirë. Isha i sigurt, mbas ndeshjes me Partizanin, ishte e vështirë edhe Stivi ndihej shumë keq, e mora në telefon dhe i thashë, shiko se unë kam bërë gabime, në jetën time kur kam luajtur futboll, nuk kisha mundësi t’i rregulloja, t’i ke ndeshje me Laçin, duhet ta nxjerrësh këtë ndeshje, të jesh më i miri në fushë.

Unë kam shumë besim tek ty i thashë, tek puna që ke bërë dhe te Zoti, kemi punuar shumë mirë dhe kishte mundësinë që në ndeshjen me Laçin, ku ta tregonte veten. Djersën e shokëve, dhe punën e të gjithë vitit që bëmë. Falenderoj Zotin që kthyem trofeun në Durrës, gjëja më e rëndësishme e karrierës time si futbollist dhe si trajner.

Më bëhet shumë qejfi për këtë gjë. Pashë atë listën e Kombëtares dhe më vjen shumë keq që nuk e patëm mundësinë ta kishim edhe Stivin te Kombëtarja, uroj që me titullin kampion dhe me ndeshjet e mira që kemi bërë të grumbullohet edhe Stivi”, u shpreh Rizvani.