Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka theksuar se barazimet në minuta e fundit të ndeshjeve, janë kthyer në një problem për të.
Pas sfidës ai theksoi s priste që ekipi të bënte lëvizje në merkato.
“Është e disata herë që na ndodh. E dinim kë kishim përballë, por si erdhi loja, ta fitosh në minutën e 95 e ta pësosh në të 96 është e pafalshme. Karakteri duhet më i fortë, u futëm të gjithë brenda, por nuk luftuam as për topin e parë dhe as për topin e dytë.
Më vjen keq që të pësosh atë gol në fund është e pafalshme. Në pjesën e parë kishim raste, edhe në të dytën. Egnatia ka cilësinë dhe stolin për ndeshje, edhe lodhja bëri të vetën se brenda 4 ditëve dy ekipet kryesuese nuk është e lehtë t’i përballosh.
Por më vjen keq se të kesh në dorë fitoren dhe ta prishësh dy herë në fund, është me të vërtetë keq.
Uën e kam thënë që çdo ndeshje hyjmë në fushë si të barabartë. Mënyra se si shkon loja, kur je duke fituar me Partizanin dhe nuk e mbyll, apo edhe sot, të vjen keq gjithë ai mund e djersë. Në fund është çështje karakteri, kur të vjen ai top në zonë nuk e largon dhe është çështje paniku e përqendrimi.
Kjo është mungesë karakteri se kanë hyrë nën presionin e pikëve, janë të trembur, ia lënë njëri-tjetrit në dorë, nuk del dikush të thotë që ky top nuk kalon, pikë. Duhet vendosmëria në fushë, duhet karakter fitues që të kalosh atë vuajtje të minutave të fundit.
Ky është stres i paparë, më vjen keq se djemtë po luajnë. Më vjen të plas se duket sikur kemi shkelur diçka të keqe e nuk po arrijmë ta heqim nga trupi.
Kanë mbetur edhe dy ndeshje, duhet të bëjmë durim, marrim maksimalen nga këto ndeshje që kanë mbetur. E presim janarin me padurim, duhen disa lojtarë për të kompletuar ekipin se edhe sikur të kesh ekipin e plotë, lodhja ndjehet. Kur fut dhe dështon me ndërrimet, është problem i madh.
Do të doja të merrja disa lojtarë të tjerë, se duke pasur lojtarë për të futur në lojë, me dy ndeshje në 4 ditë, nuk duhet të lëshosh në këtë mënyrë në minutat e fundit ndaj Egnatias. Duhet freski, por edhe lojtarë që të mund të përballojnë Kategorinë Superiore.
Ne jemi të dënuar prej 5-6-7 javësh që të marrim trepikësha, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Shyqyr Zotit që nuk po gabojmë vetëm ne, por edhe të tjerët, ndaj diferenca është e afërt.
Ne duhet të marrim këto ndeshje me qetësi, ana psikologjike nuk është e mirë, edhe fizike se ngarkesa është e madhe. Ne duhet të qetësohemi pas të sotmes, të reflektojmë nesër dhe të marrim me qetësi ndeshjen ardhshme”, tha Martini.
Lajmi kryesor: