Majlinda Kelmendi ka qenë e ftuara speciale në studiot e CNN në Rio De Zhaniero, ku ka treguar emocionet e saj për suksesin në Lojërat Olimpike, në të cilat i siguroi Kosovës medaljen e parë historike. Xhudistja e talentuar ka folur për emocionet e natës që do të mbetet gjithmonë në histori, por edhe pritshmërinë e saj për një kthim në Kosovë që do të jetë gjithashtu historik.
Medalja e parë për Kosovën në paraqitjen e parë. Mund të na tregosh se çfarë ndjeve pas fitores?
O Zot, ka qenë një ditë kaq e mrekullueshme, në fakt nuk kam fjetur fare. Mbrëmë po qaja, po shihja videot dhe po flisja me mamin dhe babin, gjithçka ishte speciale, nuk më bësohej.
Për çdo atlet, klisheja është gjak, djersë dhe lot. Çfarë është ajo gjë që të përlot?
Është shumë e vështirë të arrish sukses, njerëzit shohin vetëm 3 apo 4 ndeshje që ne bëjmë për një ditë, por ata nuk i shohin prapaskenat. Është jashtëzakonisht e vështirë, ne stërvitemi shumë dhe sakrifikojmë shumë, dhe në fund kur arrin t’ia dalesh mbanë, nuk gjen dot fjalët për të përshkruar atë që ndjen.
Çfarë është ajo që të godet në fund, cili ishte ai moment kur e kuptove më në fund atë që po ndodhte?
Mund të them që kur fitova gjysmëfinalen e dija që medalja e arit ishte e imja. Kundërshtarja në gjysmëfinale, japonezja Nakamura, ishte kampione bote tre herë, ajo është e fortë, kështu që kur e fitova atë ndeshje, e kuptova që ari ishte i imi. Megjithatë, kur fitova finalen, nuk mund të merrja frymë, nuk rrija dot në këmbë, po qaja, kisha kaq shumë gjëra në mendjen time, isha vërtet e lumtur.
Si u ndjeve kur dëgjove himnin kombëtar?
Ishte ndjenja më e bukur e jetës, sepse e dija që shumë njerëz po e ndiqnin këtë moment, fëmijë nga Kosova, vendi im, ishin me mua atë ditë, në atë moment. Ishte aq moment historik, jo vetëm për sportin në Kosovë, por edhe për Kosovën si vend, i ri dhe i vogël. Jam shumë e lumtur dhe ndjehem e bekuar që mund të bëj kaq shumë për të.
Ta shohim pak medaljen, është ari, duket e bukur apo jo?
Është shumë e bukur, nuk mund ta pershkruaj. Akoma nuk e besoj, kam marrë titullin Kampione Europe, Kampione Bote dy herë, por kjo është ndryshe.
A e imagjinon çfarë do ndodhë kur të kthehesh në vendin tënd?
Oo, mendoj se do jetë diçka shumë e madhe, njerëz që mezi presin të më takojnë dhe që janë shumë të lumtur.





