Ministria e Punëve të Jashtme e Federatës Ruse njofton se, më 21 dhjetor 2015, ambasadori i Rusisë në Tiranë Aleksandër Karpushin dekoroi përkthyesin, historianin dhe publicistin shqiptar Nikolla Sudar me medaljen përkujtimore “60-vjetori i Degës së Moskës të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rusisë” dhe i dorëzoi diplomën “Për besnikërinë ndaj fjalës ruse”. Ceremonia solemne u mbajt në ambasadën Ruse me rastin e 75-vjetorit të ditëlindjes së Sudarit që u festua më 19 dhjetor 2015.
Ambasadori i Rusisë i shprehu Sudarit mirënjohje për punën e tij profesionale shumëvjeçare si përkthyes i letërsisë ruse në gjuhën shqipe. Në saj të dashurisë së Sudarit për kulturën ruse, lexuesit shqiptarë arritën të njiheshin me shumë vepra të shkrimtarëve rusë, në radhë të parë të Aleksandër Sollzhenjicin-it.
Në ceremoninë e dekorimit, krahas familjarëve të jubilarit, të pranishëm ishin drejtori i shtëpisë botuese "Fan Noli" Rexhep Hida, përkthyesi i njohur i letërsisë ruse Jorgji Doksani, zëvendëskryetari i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ-it Jani Capo, si dhe Ervis Xhafa që përfaqësonte Bashkinë e Shijakut – qytetit të lindjes së Nikolla Sudarit.