TIRANE, 17 maj 2013- Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i ka akorduar "Medaljen e Mirënjohjes" albanologut Robert Elsie, për kontributin e çmuar në promovimin ndërkombëtar të kulturës dhe historisë së shqiptarëve.

Presidenti Nishani e ka cilësuar albanologun "një shqiptar të mirë", duke shprehur mirënjohjen për punën e tij kolosale në funksion të imazhit pozitiv të Shqipërisë në botë.

Pas marrjes së “Medaljes së Mirënjohjes”, albanologu Robert Elsie duke shprehur mirënjohjen për nderimin e veprës së tij theksoi se në këto 35 vite që vjen rregullisht në Shqipëri, dëshira e tij ka qenë që Shqipëria dhe Kosova të njihen në botë nëpërmjet një paraqitjeje të denjë të kulturës shqiptare, pa mohuar shfaqjet negative dhe problemet e shumta që ka në shoqëritë e tyre.

“Në paraqitjen e kulturës shqiptare në botë dhe në lëvrim në fushën e albanologjisë ka ende shumë të bërë dhe shpresoj që do të vazhdoj të jap një kontribut të vogël”, theksoi Elsie në fjalën e tij.