Mediet britanike ditët e fundit i kanë kushtuar shumë shkrime krimit në vendin e tyre dhe grupeve kriminale shqiptare që veprojnë aty.

Daily Mail për disa ditë me radhë ka botuar shkrime të ndryshme, që nga bandat që veprojnë në Britani e deri tek mënyra se si ato janë të organizuara.

Po sot kjo media ka realizuar një tjetër shkrim, ku zbulon një tjetër mënyrë për veprimin e krimit të organizuar.

Në artikull thuhet se bandat e krimit të organizuar po veprojnë përmes salloneve vietnameze të rregullimit të thonjve, të shpërndara në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Këto organizata kriminale mendohet se po përdorin sallonet për të pastruar paratë e fituara nga marijuana dhe prostitucioni, ndërsa aty bandat fshehin ‘viktimat’.

Agjencia Kombëtare e Krimit (AKK) shprehet se këto banda madje janë të lidhura edhe me emigracionin e paligjshëm. Aktualisht po kryen 500 hetime për skllavërinë moderne. Policia paralajmëron se shumë të ardhur të rinj vietnamezë po punojnë orë të gjata me pagesë të vogël ose pa pagesa fare, ndërkohë që frika më e madhe është se dhjetra fëmijë mund të kenë rënë pre e gangsterëve.