Ditët e fundit vëmendja e mediave vizive, të shkruara dhe elektronike është përqendruar tërësisht në zbardhjen e detajeve të rrëmbimit dhe vrasjes së 11 vjeçarit Julian Çela, nga pedofili Ardian Prenjasi. Në garë për të pasqyruar me sa më shumë hollësi gjithë dinamikën e ngjarjes, për të pyetur sa më shumë persona mbi aktivitetin e pedofilit dhe për të zbardhur anët e errëta të karakterit të atij që u mbiquajt “monstra e Laprakës”, media po abuzon me detajet më të errëta të kësaj historie.

Një e përditshme ishte hapur sot me titullin “Rrëfimi i maniakut: Ja si e dhunova 10 vjeçarin”. Pa asnjë lloj skrupulli moral gazeta në fjalë zbardhte dëshminë e pedofilit 45 vjeçar duke iu referuar asaj që sipas tyre është pohuar nga Prenjasi para hetuesve.

Kushdo që e ka lexuar atë shkrim mund të shtrojë së pari pyetjen: Kujt i shërben apo kujt i intereson të lexojë detajet e përdhunimit pervers ndaj një 10 vjeçari? Servirja e këtij informacioni si diçka ekskluzive dhe “meritë” e stafit të gazetës që arriti ta mësojë e të na e përcjellë nuk është gjë tjetër veçse një abuzim me të drejtat e fëmijës, viktimë e këtij akti.

Të serviresh si ekskluzive dëshminë rrënqethëse të një ‘psikopati’ që përdhunon fëmijët e vegjël dhe për më tepër t’i revervosh asaj hapësirë në faqet e shtypit të shkruar tregon se sa poshtë ka rënë media dhe sesi lufta për shitjen e kopjeve të gazetës të bën të shesësh lexuesve perversitete që qarkullojnë vetëm në sitet e hapura nga pedofilët në vende të ndryshme të botës. 

Në vend që media, pikë së pari të kontribuojë për t’ia lehtësuar sadopak plagën atij vogëlushi dhe familjes së tij, ajo nuk bën gjë tjetër veçse i hedh benzinë zjarrit duke ia ngulur edhe më shumë thikën në plagë viktimave të pafajshme të kësaj historie.

Nëse drejtuesit e mediave do ta vinin vetëm për pak minuta veten në vendin e prindërve të atij fëmije të pafajshëm dhe do të mendonin vetëm për një çast se si do të reagonin nëse dikush do t’u bënte një gjë të tillë fëmijëve të tyre nuk besoj se do të bënin garë për të publikuar detajet më rrënqethëse dhe të dhimbshme të një historie që tronditi mbarë opinionin shqiptar.

Në tentativë për të “zhveshur” sa më shumë një ngjarje nga misteri që e rrethon, harrojmë se në ditët në vijim viktimat e saj do t’i kthehen realitetit të përditshëm dhe do përballen edhe njëherë me mankthet e historisë që kanë pësuar në kurriz, këtë herë të shumëfishuar nga gojët e atyre që kanë lexuar për të.

Nuk do guxoja ta vija veten në vendin e atij prindi që lexon në gazetë sesi është dhunuar fëmija e tij. Një perversitet i tillë mediatik dëshmon se media po i bëhet krah krimit duke lënduar për të dytën herë viktimat e këtyre rasteve. Përsa kohë e kemi të pamundur t’ua fshijmë atë që u ka ndodhur, të paktën të mos ua lëndojmë më tepër plagën, sepse mund të jemi përgjegjës për krime të tjera.