Këto ditë presidenti i SHBA-së Barak Obama e shpalli muajin mars si Muajin e Historisë së Grave, muajin në funksion të kujtimit të atyre që luftuan për ta bërë sa më të vërtetë lirinë. Marsi është vërtet muaj historik jo vetëm për kombin amerikan, Suedinë dhe vende të tjera të zhvilluara ku gruaja ka një pozicion të mirëkonsoliduar dhe pse jo pa probleme, po dhe për mbarë botën. “Për më shumë se dy shekuj kombi ynë është rritur nën besimin e thjeshtë se secili prej nesh është i barabartë që në lindje. Ky është koncepti që e dallon Amerikën nga çdo vend tjetër në tokë – si vendi ku pavarësisht se nga vjen apo pamjes që ke, mund të ecësh aq sa të lejojnë talentet që ke.”- thotë Presidenti amerikan. Të gjithë në lindje e ndjejmë se jemi të barabartë me njëri-tjetrin, po gjatë rrugës së jetës që herët në kopsht fëmijët përballen me stereotipet gjinore të llojit: “djemtë janë trima si luanë, vajzat-pula që kakarisin” dhe më tutje shihen si seksi i dobët. A jemi vërtet seksi i dobët? Mendjet e ndritura botërore, filozofë dhe shkencëtarë, që shkojnë përtej sipërfaqësores, thonë jo. E megjithatë të drejtat e gruas që janë njëherë e përgjithmonë fitohen ligjërisht në lindje dhe duhet të na shoqërojnë realisht përgjatë të gjithë jetës. Po ligjërisht jemi të barabartë, praktikisht e ndjejmë që jo, përtej ndryshimeve biologjike. Sot, çështja e grave dhe vajzave shtrohet në kuadrin e krijimit të një rendi të ri botëror, pasi ende të drejtat e tyre, të drejtat tona mbeten një detyrë e rëndësishme e papërfunduar e shekullit XXI, siç phon dhe znj. Klinton.
Teksa po shkruaja këto rradhë në faqen e rrjetit social “facebook” të Women’s Rights News u shfaq një status që pyeste sa e vështirë është të jesh një qenie njerëzore humane në media? E njëjta pyetje mund të ngrihet pa frikë dhe për veprimin e gruas në politikë dhe ruajtjen e feminitetit të saj. Media dhe politika afrohen dhe largohen në këtë pikë fort, ndërsa ata apo ato që nuk i përkasin këtyre dy sferave të jetës, politikës dhe medias mund të heqin paralele të shumta mes grave të përfshira në to. Ky referim nuk do të ndalet këtu, pasi ai rreket të prekë hapësirën dhe trajtimin që i ofron media sot grave në politikë. Vetë politika nuk është gjë tjetër veçse arti i të drejtuarit të shtetit dhe përpjekja e opozitës për ta siguruar këtë drejtim përmes tij. Sjellja me shtetin dhe mekanizmin e tij është e ndërthurur me vlerat morale civile dhe me mekanizmin ligjor dhe e lidhur me dialogun mes institucioneve dhe qytetarit. Pikërisht ky dialog është dhe thelbi i demokracisë.
Politika shihet në shumë shoqëri, përfshirë edhe këtë tonën, si një ndërmarrje apo art gjerësisht mashkullor, si një ndeshje pa armë dhe gratë janë shumë shpesh të injoruara të fitojnë apo të konsolidojnë pushtetin. Në këtë situatë ajo që sugjerohet nga eksperte ndërkombëtare, siç është ambasadorja amerikane për çështjet e gruas në rang global zonja Melanne Verveer, është se duhen aftësuar më shumë gratë për të pasur akses në të drejtat e tyre. Gratë të marrin pozicionet e tyre në shoqëri. Të paraqitet se ç’mund të bëhet që më shumë gra të bëjnë rol lidershipi, në çdo aspekt të shoqërisë sonë. “Është cinizëm ekstrem nëse nuk vlerësohen potencialet globale të gruas dhe vajzës”.
Promovimi i gruas në politikë në Shqipëri nuk del dot përtej propogandimit të kuotës 30% prezencë në listat e kandidatëve dhe në këtë fushatë elektorale të gjithë presim të ravijëzohen këto lista për të parë pozicionimin e grave në to. Dhe ç’është më e bukura për kuotat flasin herë burra që nuk përçojnë asnjë ndjeshmëri ndaj barazisë gjinore dhe herë gra që marrin pozicione thuajse burrërore teksa janë të veshura me rroba firmato, si të vetmet elementë që bëjnë diferencën. Respektimi i kuotës 30% mbetet një rast shumë i mirë që media duhet ta trajtojë në mënyrë të posaçme, po që deri më sot është anashkaluar një trajtim i thellë dhe i vazhdueshëm i çështjes së kuotës në diskutimin mediatik dhe kjo lë për të dëshiruar, pasi ka të bëjë me njëfarë diskriminimi dhe vetëdije profesionale të orientuar nga stereotipet gjinore në shoqëri, mentalitetet e ngulitura që nga drejtuesit deri te gazetarët e terrenit. Ka njëfarë shpërfillje të medias kur vjen puna tek të drejtat e grave dhe rëndësia e pjesëmarrjes së tyre në politikë. Kjo pasi shumë kryeredaktorë janë meshkuj dhe i injorojnë përgjithësisht trajtime të tilla, duke “harruar” që gratë përbëjnë 50% të popullsisë, shumica e gazetareve janë femra dhe të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut.
Fjalori i gazetarëve kur flasin për gratë shpesh është i shëmtuar dhe gruaja në media kryesisht përbën interes kur është viktimë, të tjerat janë karrieriste, të etura “për të dalë një çik në TV e për të bërë show” dhe kur ngrihet zëri për të drejtat e tyre nga shoqata apo rrjete sociale vjen paragjykimi: “punë OJF-sh që duan të reklamojnë punën për fondet e marra nga donatorët” dhe sërish anashkalim mediatik.
Kam bindjen se dhe për këtë tryezë do të raportohet ndonjë deklaratë politike e bërë nga krerët politikë dhe deputetët pjesëmarrës sesa do të raportohet dhe për qëllimin e kësaj tryeze.
Padyshim media ka një rol jashtëzakonisht të madh në kultivimin e koncepteve të drejta dhe të ekulibruara për çështjet e barazisë gjinore. Forca dhe ndikimi i medias është i pranuar nga të gjithë si mjet që ka mundësi të gjëra, reale të ndikimit social-kulturor dhe në përpunimin e opinionit publik, për të krijuar koncepte të drejta sociale.
Mediat e shkruara, ato vizive dhe së fundmi mediat sociale si Tweeter, Facebook etj. përforcojnë kuptimet tradicionale të maskilitetit, feminilitetit dhe roleve gjinore. Barazia gjinore si parim duhet të respektohet në të gjithë shoqërinë, nga të gjitha pushtetet dhe strukturat mediatike, të cilat janë promotorë të zhvillimeve pozitive në një shoqëri. Barazia gjinore është një partneritet real, e cila në radhë të pare lidhet me respektimin e të drejtave të çdo individi dhe logjika e pasqyrimit te realitetit në media duhet të shtrihet mbi këtë bazë. Media është pushtet, pushtet de facto përmes forcës që mbart, misionit që ka. De jure të gjithë e dimë se në demokraci tre janë pushtetet legjitime. Misioni i saj nuk është thjesht pasqyrimi mekanik i ngjarjeve apo dukurive që shoqërojnë zhvillimin e shoqërisë, por edhe sjellja e ndryshimit, promovimi i vlerave dhe koncepteve për barazi gjinore, në të kundërt përballemi me gra politikane që e kanë pushtetin apo e synojnë atë dhe mashkullorizohen, përtej natyrës që kanë shfaqur para përfshirjes në politikë.
Media sot vuan ende nga një kulturë e cunguar përsa i përket barazisë gjinore. Madje dhe kur në krye të saj janë gratë, duke i diktuar opinionit mënyrën e të menduarit dhe të parit të botës përreth, stereotipet gjinore. Për fat të keq e njëjta kulturë e cunguar ndeshet dhe në ambjentet akademike ku të rastis të dëgjosh pedagogë me formim juristi që të shprehen se e bukura (femra) dhe mençuria nuk shkojnë bashkë. Gruaja vijon të shihet si stoli, ndërkohë që vetëm biologjikisht jemi ndryshe, ndonëse procesi i lindjes nuk ka ndikim as në inteligjencën, as aftësitë e burrit a të gruas.
Deklarimet mediatike, përcjelljet e mesazheve politike gjithnjë e më shumë vitet e fundit vërehet se bëhen nga zëdhënëse jo vetëm me një pamje të kuruar deri në detaje dhe që është mjaft e pranueshme, por dhe që duhet të jenë domosdoshmërisht të bukura për të bërë efektin e duhur në publik.
Në takimin “Më shumë gra në politikë” e organizuar nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale këto ditë në Durrës deputeti Gazmend Oketa duke folur për pozicionimin e zonjave në politikë tërhoqi vëmendjen pikërisht në këtë fakt që ato shpesh sillen si përfaqësuese të forcave politike që përfaqësojnë dhe jo të institucioneve që drejtojnë, duke u bërë dhe thjesht lexuese të deklaratave të bëra nga burrat dhe “kjo duhet të ndryshojë, që gratë të mos dalin e të bëjnë thjesht tik-tak”. Deputetët Klodjana Spahiu dhe Lefter Koka ndërkohë ndaluan në rritjen e frikshme të krimit të rrugës dhe veçanërisht atij ndaj gruas e cila duhet të ketë më shumë kurajo për të denoncuar dhunën dhe fenomene të tjera negative.
Media ka një rol të veçantë në përfshirjen e gruas në jetën politike, në të cilën treguesit e maskilizmit janë qartë të dukshëm. Nuk ka mjet më të fuqishëm sensibilizues dhe instrument më të saktë për të evidentuar të vërtetën dhe demagogjinë e shfaqur nga të gjithë partitë politike në Shqipëri në të cilat prezenca e faktorit femër, sidomos në strukturat drejtuese të tyre është ende e ulët dhe shqetësuese. Po këtë rol media, në përgjithësi, edhe nga studimet e bëra mbi këtë çështje, nuk e realizon në parametrat e kërkuara të shoqërisë civile dhe demokratike. Shumë pak vend i jepet realisht problemit të pjesëmarrjes së gruas në politikë dhe nxitjes për rritjen e numrit të vajzave dhe grave të përfshira në mënyrë aktive në të.
Hapësirat e lëna në media për gratë politikane janë të pakta. Më së shumti sheh të njëjtat që shfaqen në ekrane dhe që kanë marrë më parë mbështetjen e fortë nga forca e tyre politike për daljet apo deklarimet mediatike. Të tjerat qëndrojnë në hije, në pritje të radhës për t’u evidentuar nga krerët e partive dhe më pas për të pasur dhe më shumë akses në media, pasi vetë media nuk është e prirur t’ua ofrojë hapësirat, t’i kërkojë dhe t’i promovojë për vlerat që kanë dhe kontributin që sjellin realisht në politikë.
Gratë, të parat duhet të ndërgjegjësohen për të drejtat e patjetërsueshme dhe barazinë që gëzojnë ligjërisht dhe që duhet ta kërkojnë realisht në jetën e përditshme dhe në politikë, duke mos zgjedhur qëndrimet në hije mediatike, në prapaskenë, duke bërë vetëm punën në terren, kam parasysh aktivizimin e fuqishëm të shumë grave në fushatë, rolin e tyre organizativ, po dhe të tërhequr duke çuar në përforcimin e mentalitetit inferior. Forcat politike ndërkohë nuk duhet të harrojnë se kuota është ligj dhe zbatimi i ligjeve në demokraci është i detyrueshëm.
Përpos medias dhe politikës, gratë, ne nevojitet të jemi më shumë ambicioze, pa paragjykime për të shfaqur pa hezitim aftësitë dhe dijet në ambjentet e politikës profesionale dhe mediatike, po edhe më shumë mbështetëse ndaj njëra-tjetrës.