9 qershor 2015 – Urdhër-arresti i lëshuar nga Prokuroria shqiptare për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, bëri bujë edhe në mediat italiane.
“Corriere della sera” e ka vendosur atë në krye të lajmeve me titullin: “Mandat arresti për krijuesin e Agon, Becchetti-n”.
Pretigjiozja italiane e vë theksin tek akuza, që Prokuroria shqiptare ka ngritur për sipërmarrësin nga Roma, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh. Ajo shkruan se nën sekuestro është vënë paketa e aksioneve të Becchetti-t në pesë shoqëri të regjistruara në Shqipëri. Ndër to ai zotëron 60% të Agon Set, ku përfshihen Agon Channel e Agon Italia, dy televizione që dyshohet se janë ngritur me paratë e pista që qarkulloheshin nga Becchetti.
E përditshmja italiane thotë se Becchetti ka shfrytëzuar aktivitetin e tij në sektorin e energjisë, veçanërisht projektin për ndërtimin e një prej hidrocentraleve më të mëdha në vend, atë të Kalivaçit për të përfituar miliona euro.
Projekti, sipas “Corriere della Sera”-s, zë fill që në vitin 1997. Në të janë investuar mbi 160 milionë dollarë dhe ndër investitorët, ishte edhe gjiganti italian i energjisë ‘Enel’, që u tërhoq nga projekti duke nisur një betejë ligjore me Becchetti-n.
“Paratë që duhej t’i përdorte për këto projekte, përfunduan në llogaritë e tij bankare ose u investuan në biznese të tjera në Shqipëri, siç është rasti i dy televizioneve ‘Agon Channel’ e ‘Agon Italia’, të financuara me para të pista”, shkruan “Corriere”.
Mediat e ngritura nga Becchetti kanë tërhequr figura të njohura të ekranit në të dy vendet. Mes tyre përmendet edhe rasti i ish-drejtorit të Radio Rai Unos, Antionio Caprarica, i cili hoqi dorë nga kontrata në dhjetor të vitit të kaluar. Caprarica u ankua në atë kohë se në ‘Agon Italia’ punohej shumë dhe në kushte të padenja. Ai rrëfeu se të punësuarit, punonin deri në kontenierë, që ishin përshtatur për zyra.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





