Sipas medias malazeze Vijesti, Serbia dhe Shqipëria janë dy vendet të cilave Spajiç iu referua në një postim në rrjetin social “X”, ku paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e Malit të Zi. Media thotë se këtë e ka mësuar nga disa burime.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, deklaroi se ekzistojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian do të shoqërohet me veprimtari hibride të koordinuara, ku dyshohet se janë përfshirë zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit.
“Sipas informacioneve tona, aktivitete të tilla kanë për qëllim destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të aktorëve të caktuar politikë dhe të një pjese të skenës mediatike në vendin tonë. Ne i dimë këto synime dhe jemi të vetëdijshëm për qëllimin e tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do të ndryshojnë kursin tonë dhe as nuk do ta ndalojnë rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike”, shkroi kryeministri malazez.
Sipas Vijesti, Spajiç nuk i identifikoi publikisht shtetet që dyshohet se janë të përfshira në këto veprimtari. Megjithatë, media citon burime të saj duke pretenduar se bëhet fjalë për Serbinë dhe Shqipërinë.
Në këtë kontekst, media malazeze thekson se akuzat lidhen me përpjekje të mundshme për të ndikuar në stabilitetin politik të vendit dhe për të penguar përparimin e tij në rrugën drejt Bashkimit Evropian.





