Minuta e ’59 e ndeshjes mes Tiranës dhe Crvena Zvezdës ndoshta ka qenë ajo që ka përcaktuar fatin e sfidës mes dy skuadrave në Ligën e Kampioneve. Nuk ishte momenti i golit të skuadrës serbe në kryeqytet, por ai ku Ernest Muçi u shfaq përpara portierit Borjan.
Gjuajtja e sulmuesit të talentuar të Tiranës, u devijua nga gardiani, aq sa duhej që topi të mos ndalej në rrjete por në shtyllë e të kthehej përsëri në duart e tij. Një moment që vulosi fatin e sfidës pasi me 1-0 për Tiranën, ndeshja mund të kishte pasur një rrjedhë e përfundim krejt tjetër.
Për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe në Serbi, ku portali i njohur “Telegraf” i ka kushtuar një shkrim kontributit të portierit që është njëkohësisht edhe kapiten i Crvena Zvezdës.
“Zvezda duhet t’i ngrejë një statujë Borjan para “Marakana” pas pritjes në Tiranë”, titullohej artikulli i portierti i cili tregonte se si gardiani kishte qenë vendimtar për klubin serb dhe për këtë arsye fitonte dhe çmimin e “Lojtarit të ndeshjes”.
“Kush e di se sa herë Borjan e ka shpëtuar Zvezdën nga situatat më të vështira, ndaj nuk është çudi që shiriti i kapitenit është me të drejtë në krahun e tij” shkruante portali serb për paraqitjen në ndeshjen e sotme.





