ANGLI- Komentet raciste të bëra nga futbollisti i Mançester Sitit Aleksandër Kolarov në adresë të dy tifozëve shqiptarë të Njukasëllit në ndeshjen e së shtunës, kanë zënë faqet e para të shtypit anglez ditën e djeshme. Në një vend ku ka patur masa të rënda edhe për lojtarë si Xhon Terri apo Luis Suarez, gjesti i lojtarit serb nuk mund të kalonte në plan të dytë. "Policia nis hetimet për incidentin racist të Kolarov dhe një tifozi shqiptar", shkruan "Sunday Times".
"Policia konfirmon hetimin ndaj Kolarov, që akuzohet se ka bërë fyerje raciste ndaj dy tifozëve", vijon më tej tabloidi "The Sun". Nuk ka munguar një hapësirë e gjerë edhe në gazetën "Independent", që shkruan: "Lojtari i Mançester Sitit do të hetohet nga policia, për shkak të fyerjeve të rënda ndaj një tifozi shqiptar ditën e shtunë", shkruan ajo. "Kolarov shkëmben fjalë të nxehta me një tifoz dhe përfundon nën hetim", është titulli i "Mail on Sunday". Komentet e bëra në të gjitha gazetat angleze dhe rëndësia që ato i kanë dhënë kësaj ngjarjeje, lidhet me seriozitetin që merr çështja e racizmit në Angli. Policia e Northumbrias, në Njukasëll, bëri të ditur dy ditë më parë, se Aleksandër Kolarov do të jetë person nën hetim, pasi një tifoz shqiptar e akuzoi atë për fyerje raciste gjatë kohës që bënte nxemjen për t'u futur në fushë. "Ne e konsiderojmë racizmin një çështje shumë serioze, kështu që kush ka ndonjë fakt për këtë ngjarje, le të dëshmojë", bëri të ditur Policia në një komunikatë për mediat.
HETIMI
Policia ka vendosur ta thërrasë sërish javën e ardhshme mbrojtësin e Mançester Sitit Aleksandër Kolarov, që mund të shkojë edhe në Gjykatë në rast se akuzat ndaj tij do të vërtetohen. Autoritetet angleze bëjnë të ditur se janë në dijeni të problemeve që ekzistojnë në Ballkan, por incidente të tilla janë të patolerueshme. Në fakt, çështjet e racizmit dhe të diskriminimit kanë qenë në qendër të vëmendjes në javën e shkuar. Dënimi prej 80 mijë eurosh gjobë që Komisioni Disiplinor i UEFA-s i dha Serbisë për problemet në ndeshjen e 21 vjeçarëve ndaj Anglisë, ka bërë që edhe vetë presidenti i këtij institucioni Mishel Platini të dalë kundër, duke u shprehur se do ta apelojë ai këtë vendim. Ndërkohë, përpara finales së Botërorit të klubeve mes Çelsit dhe Korinthiasit, presidenti i FIFAs Sep Blater, kërkoi masa të ashpra për incidente të tilla. Blater u pyet nga gazetarët pikërisht për ngjarjen e ndodhur në Njukasëll dhe ai u përgjigj: "Jo vetëm racizmi, por edhe diskriminimi nuk ka vend në futboll, kështu që duhet të veprojmë me zero tolerancë ndaj tij".