4 qershor 2014 – Britanikja “Financial Times” shkruan sot se Bashkimi Europian është i gatshëm të pranojë Shqipërinë si një vend kandidat për anëtarësim. Sipas gazetës, ka një ndarje të fortë mbi statusin e Shqipërisë, për shkak të frikës ndaj migracionit dhe krimit të organizuar.
“Gjermania, Holanda, Britania dhe Franca kundërshtuan kandidaturën e Shqipërisë vitin e kaluar, ndërkohë që vende të tilla si Italia dhe Greqia kanë argumentuar se integrimi i vendeve të Ballkanit do të ndihmojë për të zvogëluar konfliktet sociale dhe politike në rajon”, shkruan “Financial Times”.
Ndërsa Agjencia italiane e lajmeve ANSA, shkruan sot se topi për ti dhënë statusin Shqipërisë është në fushën e 28 vendeve anëtare, pasi Komisioni Europian e ka rekomanduar rishtazi.
“Komisioni Evropian promovon edhe njëherë Tiranën duke u shprehur se Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Topi tashmë i kalon 28 shteteve anëtare, në funksion të një vendimi të Këshillit Evropian në fund të qershorit”, shkruan Ansa.
Raporti i miratuar sot në Bruksel, u përqendrua veçanërisht në fushat e drejtësisë dhe të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas agjencisë Italiane, vendeve që mbështesin Shqipërinë si Italia etj, në javët e ardhshme do të duhet të bindin skeptikët e mbetur midis 28 vendeve të BE-së: Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Danimarka dhe Hollanda.





