8 tetor 2015 – Sytë dhe zemra e çdo shqiptari do të jenë te kuqezinjtë mbrëmjen e 8 tetorit, por në “Elbasan Arena” do të jetë edhe vëmendja e gjithë botës. Këtë herë nuk është një superlativë por një fakt, pasi për të ndjekur nga afër ndeshjen ku shqiptarët synojnë të shkruajnë historinë do të jenë gazetarët dhe përfaqësuesit e mediave më prestigjioze në rang global.
Në tribunën e shtypit të “Elbasan Arenës” si kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptar do të jenë përfaqësues të mediave më të njohura të planetit. Siç konfirmon zyra e marrëdhënieve për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, në tribunën e mediave do të jenë gazetarët e CNN-it, BBC-së, Sky-t, Daily Mail-it, NY Times e të tjerë dhe padyshim ata të gazetave më të rëndësishme sportive si Gazzetta Dello Sport, L’Equipe apo Marca në Spanjë.
Interesimi i jashtëzakonshëm padyshim që ka të bëjë me historinë mes dy vendeve por mbi të gjitha me ato që ndodhën një vit më parë në Beograd, me mediat globale që janë të interesuara të bëjnë dhe krahasimin me mënyrën se si u sollën tifozët serbë në 14 tetor dhe atë që do të shohin e përjetojnë në “Elbasan Arena”. Në këtë kontekst padyshim që mbarëvajtja e ndeshjes dhe sjellja e tifozëve në tribuna është një përgjegjësi e gjithsecilit në lidhje me diçka që të gjithë e kemi të shtrenjtë, imazhin e Shqipërisë në botë.
/portali DurresLajm/