Angli, 15 qershor 2014 – Mediat britanike vijojnë të komentojnë deklaratat e zyrtarëve të këtij vendi, të cilët janë shprehur pro dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë. Madje ky qëndrim që sipas tyre në fakt është i vetë kryeministrit Cameron ka nxitur debate politike në këtë vend.
“Cameron thyen betimin, do t’u mundësojë hyrjen në Britani shqiptarëve. Do të lejojë hyrjen në Britani të njerëzve nga vendet e varfra, të keqedukuar dhe të orientuar nga krimi dhe kjo bie ndesh më deklaratën e tij në dhjetor të vitit të shkuar, kur i vuri veton statusit kandidat të Shqipërisë”.
“Breitbart.com” citon dhe deklaratën e David Davis, i cili ishte kandidat për kreun e partisë Konservatore në vitin 2005, i cili është shprehur se “nuk duhet të lejojmë për sa kohë nuk kemi garanci për lëvizjen e lirë. Shqipëria nuk është vetëm vend i varfër por dhe i turpshëm për korrupsion, trafikim dhe krim të organizuar”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





