Juventusi e ka vendosur: do të kërkojë të rikthejë Pol Pogbanë në Torino, në merkaton e verës. Është ky lajmi që ofron ekskluzivisht tabolidi britanik, “Daily Express”, i cili nënvizon se drejtuesit italianë e kanë vënë mesfushorin francez në krye të listës së tyre të shpenzimeve.
Mesfusha sivjet është pikërisht reparti që ka lënë më shumë për të dëshiruar te 7 herë radhazi kampionët e Italisë dhe një përforcim i rëndësishëm si ai i Pol Pogbasë do të shtonte më shumë cilësi në të.
Pa dyshim që për një lojtar si kampioni i botës shifrat do të jenë sigurisht të rëndësishme dhe oferta që në Torino kanë bërë gati është 95 milionë euro. Pogba ka një kontratë me Mançester Junajtid deri më 30 qershor 2021, nga e cila përfiton 15 milionë euro në vit, por Juventusi është i vendosur që të shpenzojë dhe t’i garantojë të njëjtën pagë 25- vjeçarit.
Gjithsesi, më shumë në lidhje me këtë tratativë do të varet edhe nga mënyra sesi “djajtë e kuq” do të mbyllin sezonin, ku një moskualifikim për në Champions nga ana e anglezëve, do ta ndihmonte firmën e Pogbasë me Juven.





