ITALI– Sipas zëdhënësit të Vatikanit At Federico Lombardi dorëheqja e Papës ishte e papritur, por të kundërtën dëshmon gazeta L’Osservatore Romano në të cilën shkruhet se “vendimi i Papës qe marrë prej shumë muajsh”, e më saktë pas udhëtimit në Kubë dhe Meksikë (në fund të marsit të 2012).
Në shkrimin e drejtorit të gazetës kujtohet se Ratzinger nuk e këkroi zgjedhjen Papë në një prej konklavave më të shkurtëra të historisë, ai thjesht pranoi këtë detyrë të shenjtë.Por jo vetëm gazeta e Selisë së Shenjtë mban këtë qëndrim.
Pak kohë më parë gazeta 'Il Fatto Quotidiano', e cila konsiderohet si një nga më të pavarurat në Itali, pati botuar një lajm eskluziv lidhur me një komplot kundër Papa Benediktit të 16-të. Në numrin e
saj të 10 shkurtit të vitit të kaluar gazeta botonte lajmin e një raporti të shkruar në gjermanisht ku thuhej se Papa ka dhe 12 muaj jetë.
Madje në raportin e cituar nga gazeta kishte dhe detaje për sa i përket pasardhësit të Papa Ratzinger; përmendet emri i arqipeshkvit të Milanos Angelo Scola, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet një nga kandidatët e mundshëm. Pas daljes së këtij lajmi Vatikani komentoi se “këto janë përçartje që në asnjë mënyrë nuk duhen marrë seriozisht”.
Një nga hipotezat është se Papa kishte vendosur të largohej më parë, por pati rezistuar për të mos kënë Selinë e Shenjtë pikërisht në periudhën kur shpërtheu skandali për daljen e dokumenteve sekrete nga Vatikani. Në vitin 2010 në librin-intervistë “Drita e botës” ai i qe përgjigjur pyetjes së gazetarit : Kur një Papë mbërrin në ndërgjegjësimin e qartë se nuk është më fizikisht, psikologjikisht dhe mendërisht në gjendje të kryejë detyrën e ngarkuar, atëherë ka të drejtën e në disa rrethana edhe detyrën që të japë dorëheqjen”.