Tiranë, 26 qershor 2014 – Mediat e huaja në të gjithë botën pasqyrojnë vrasjen e bankierit dhe aksionerit të mediave Artan Santo teksa po hynte në bankën e tij paraditen e sotme. Santo 54 vjecar u qëllua për vdekje në një atentat në qendër të Tiranës, në një zonë që agjencia e lajmeve Ansa, dhe jo vetëm, e cilëson si zemrën e lagjes financiare dhe politike të kryeqytetit tonë, vetëm pak metra larg selisë së qeverisë dhe parlamentit.
Prestigjozja Associated Press ka dhënë detajet e para të ngjarjes së rëndë të mëngjesit të së enjtes në mes të zonës së ish-Bllokut në Tiranë.
Sipas AP, dy persona të maskuar kanë qëlluar 6 herë mbi të ndjerin Artan Santo duke i marrë atij edhe jetën. Associated Press e përshkruan 58-vjeçarin Santo si një biznesmen të njohur në Shqipëri, bashkëaksioner i Bankës Credins, Tv Scan Tv Neës 24 dhe disa mediave të tjera në vend.
Në shkrimet e ndryshme jepen detajet se si Santo është qëlluar nga dy persona me kasko që e prisnin në një motor në hyrje të Credins Bank, institut i rëndësishëm i kontrolluar nga sipërmarrës shqiptarë, në të cilën viktima ishte drejtor dhe ortak.
Vrasësit të cilët kanë qëlluar gjashtë herë kundër viktimës janë arratisur menjëherë në periferi të Tiranës. Për momentin nuk ka të dhëna për arsyen e vrasjes, një nga më të rëndat kohët e fundit në Shqipëri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





