Këto ditë, disa shkrime në mediat britanike dhe gjetkë, më së shumti të sponsorizuara, sugjerojnë se në bregdetin jugor të Shqipërisë është kaq lirë sa hotelin e merr me 20 paund nata, ose 2 300 lekë(!)
Gjithashtu në to thuhet se një birrë në lokal kushton vetëm 1.1 paund ose 128 lekë.
E po ashtu thuhet se “një vilë ditore mbi ujë kushton vetëm 8 paund” ose 930 lekë dita.
Në shkrimet që po promovohen fort dhe nga qeveria shqiptare, sugjerohen gjithashtu plot produkte dhe shërbime të tjera që thuhet se janë lirë, shumë lirë, madje më lirë se kudo në Evropë e plazhe të tjera.
Por ne, në Shqipëri jetojmë dhe me të tilla çmime nuk jemi përballur, thonë disa qytetarë që kanë shprehur habinë në rrjete sociale për këto shkrime me fakte sipas tyre të paqena.
Ndaj, pa dashur aspak të shprehemi kundër promovimit që po i bëhet turizmit shqiptar, ia vlen të përmendim disa fakte që evidentojnë vetë qytetarët shqiptarë, të cilët kanë kaluar këtë verë, fundjava ose disa ditë pushimesh në jug.
Shumë qytetarë pohojnë se të tilla çmime nuk ekzistojnë.
“Hotel me 20 euro nata? Ku është mor aman se po shkoj të rri një muaj. Ne mezi ndejtëm 6 net në Dhërmi te një hotel veç me mëngjes dhe paguam 1,200 euro”, thotë një 33 vjeçare nga Tirana që ishte këto ditë në jug, tek një hotel me 3 yje në plazhin e Dhërmiut. Disa të tjerë flasin për “haraç” 300 euro nata për dhomë.
Një tjetër, thotë: “Po na hapin barkun kur thonë birra një paund në jug. Ku e gjetën? As në Londër, se atje e kam pirë me 2 paund në birrari. Kurse tek ne në jug 800 lekë një shishe dhe 600 lekë një birrë me gotë ishte. As në Dhërmi e Drimadhë, e as Ksamil e Sarandë ku isha, nuk pashë askund të tilla çmime por disa herë më shtrenjtë”.
Në shkrimin e “The Sun”, thuhet gjithashtu se ka vila ditore mbi ujë që kushtojnë 8 paund dita.
Duke besuar se bëhet fjalë për rrjetat mbi ujë që zëvendësojnë shezlonët, qytetarët shprehen edhe këtu të çuditur.
Ata të tregojnë me fakte se kanë paguar 3 mijë deri 5 mijë lekë shezlonët, pa folur për disa plazhe të tjera jugu ku shkon dhe 4 herë më shtrenjtë.
Shkrimi në The Sun që flet për çmime të lira në jugun shqiptar
Disa shtojnë se ka plazhe që paguan çdo gjë sa “frëngu pulën”: “Pale të të shkojë mendja për në Palasë, atje të shkon redbulli 15 euro dhe një sallatë 20 euro”, theksojnë ata.
Megjithatë, ka një pikë, ku të gjithë bien dakord, pjesa ku jugu i Shqipërisë krahasohet me plazhet e Maldives.
Por shtojnë: “Praktikisht, jugu po na bëhet mollë e ndalueme”!