Amadu Latif përgënjeshtron mediat ganeze. Sulmuesi i Teutës ka reaguar menjëherë pas lajmit që mori dhenë. Njëri prej protagonistëve dhe golashënuesi më i mirë i Superiores, Amadu Latif, hedh poshtë zërat që e largojnë atë nga skuadra bregdetare.

Latif është shprehur se nuk i ka thënë ato fjalë dhe që shkrimi i bashkëkombësve të tij është veçse një trillim. Sulmuesi ka pohuar që ndihet shumë mirë te “djemtë e detit”.

Qarkullon një lajm në median e vendit tuaj se jeni i zhgënjyer nga Teuta. Jeni në dijeni të këtij fakti?

Ata (ganezët) janë duke gënjyer. Unë u thashë: “Nuk jam i zhgënjyer te Teuta, por që unë e dua dhe respektoj Teutën. Kam një kontratë me këtë klub dhe i përkas Teutës. Këtu jam i lumtur dhe shoh vetëm përpara për të bërë sa më mirë me Teutën”.

Pra, do të vazhdoni të jeni pjesë e Teutës edhe në të ardhmen tuaj?

Jam pjesë e Teutës dhe nuk e mendoj largimin, pasi dua të arrijmë objektivin që ka klubi për pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Sa herë flitet për transferimin e lojtarëve, aty është edhe emri im, por kur do të vijë momenti për t’u larguar do ta bëj një gjë të tillë.

Arsyeja që nuk po aktivizoheni cila është? Keni biseduar me trajnerin Shkëmbi?

Trajneri është ai që vendos dhe unë nuk dua të kem probleme me të apo me klubin. Unë do të vazhdoj të stërvitem e të jap maksimumin për ketë ekip, si dhe ta ndihmoj skuadrën të arrijmë objektivin që kemi për të shkuar ne Europë.