Skuadra që do të kualifikohet pas dy ndeshjeve në turin e parë të Ligës së Konferencës mes armenëve të Araratit dhe Egnatias së Rrogozhinës, do të përballet më pas në turin e dytë me grekët e Arisit.Në Greqi janë bërë kuriozë për të njohur më mirë rivalët e mundshëm të Arisit dhe mediat në Selanik kanë kontaktuar së fundmi trajneri italian, Diego Longo, i cili në Superiore ka drejtuar Kukësin, ndërsa sezonin e mbylli në krye të Flamurtarit në Kategorinë e Parë. Longo u emërua pak ditë më parë trajner i Teutës, ndërsa lidhja e tij me Greqinë është e hershme, pasi ka qenë zv.trajner prej disa vitesh te PAOKu dhe Skoda Ksanthi.

“Egnatia është një ekip që është rritur në dy vitet e fundit. Ka një president serioz dhe ambicioz. Ai ka investuar shumë para për ekipin dhe qendrën stërvitore. Jam i sigurt se do të luftojnë për titullin në Shqipëri. Nëse kualifikohet, nuk do të jenë kundërshtar i lehtë për Arisin.Kanë lojtarë shumë të mirë, veçanërisht sulmuesin Duamena. Më bën përshtypje që ai po luan ende në Shqipëri, sepse niveli i tij është për liga më të mëdha. Nëse përballet me Egnatian, Arisi nuk duhet ta nënvlerësojë, por të japë 100% që të kualifikohet. Egnatia është shumë e motivuar dhe ambicioze”, ka thënë dje Longo për mediat greke.