Sipas medias greke, Fredi Belerit i jepet leja nga autoritetet shqiptare për t’u betuar si eurodeputet në Strasburg. Sipas gazetës Kathimerini, që citon ERT, Beleri do të fluturojë mëngjesin e së hënës drejt Athinës dhe më pas do të transferohet në Strasburg.

Abc News kontaktoi autoritetet shqiptare po ata ende nuk kanë kthyer përgjigje. Një burim thotë në mënyrë jo zyrtare se kërkesa e autoriteteve greke po shqyrtohet dhe do të marrë përgjigje të hënën. Por një tjetër burim thotë se shqyrtimi do të jetë thjesht teknik dhe me shumë gjasë të hënën pasdite ose të martën në mëngjes, Beleri do të niset drejt Strasburgut.

Vetëm pak ditë më parë, Athina i kërkoi zyrtarisht leje Tiranës që Fredi Beleri të shkonte në Strasburg për të marrë pjesë në seancën hapëse të parlamentit të ri europian në 16 Korrik.

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga Demokracia e Re në zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, disa ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjesshme për kreun e kësaj bashkie në 4 gusht.