PRISHTINE – Pas informacioneve për darkën e fshehtë të kryeministrit Thaçi dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, darkë kjo që sipas mediave është organizuar në shtëpinë e Haradinajt, sot dolën edhe spekulimet e para për një marrëveshje të arritur midis tyre për ndarjen e posteve pas hyrjes së AAK-së në koalicionin qeverisës. 

Sipas Indeksonline, Ramush Haradinaj mund të bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, kurse nga pesë zëvendëskryeministrat e tjerë të tashëm, do të mbetet vetëm kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, kurse të tjerët nuk do të jenë në atë qeveri. 

Sipas këtij versioni, qeveria e ardhshme pritet t’i ketë vetëm dy zëvendëskryeministra, që do të jenë në fakt ministri i Punëve të Brendshme, Ramush Haradinaj, dhe ai i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli. 

Thuhet që AAK-ja ka kërkuar edhe katër ministri të tjera, mirëpo asgjë nga këto nuk është konfirmuar as nga qeveria e as nga dy partitë e përfolura, PDK dhe AAK.