7shtator 2015 – Bllokimi në Itali i një avioni me drogë ka sjellë përplasje politike në Shqipëri. Policia italiane ka deklaruar se avioni i lehtë, i modifikuar për të transportuar 80 kg kanabis gjatë çdo fluturimi, ishte nisur nga Shqipëria për të përfunduar në Itali.
Policia italiane arrestoi shtetasin shqiptar Maksim Llanaj, nga Shqipëria 37 vjec, rezident në Volpiano, italianin, Pasquale D’Ambrosio Pasquale, 58 vjec nga Salerno, rezident në Varese. Në pranga ka rënë dhe Fitor Alliaj, i njohur me nofkën ‘Vito’, 43 vjec nga Shqipëria, rezident në Druento si dhe Rosario Campisi nga Sirakuza. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi nga parlamenti sot se, droga ishte nisur nga Torino me destinacion Leçen.
Por, mediat italiane që citojnë policinë vendase thonë të kundërtën. Sipas tyre, avioni nisej nga pista të vogla në Shqipëri, për të shmangur kontrollet në kufi. Avionit i ishte hequr sedilja e ndihmës/pilotit, për të siguruar hapësirën e nevojshme për transportimin e lëndës narkotike. Droga do të shkonte në Torino, ndërsa në Leçe ka qëndruar për shkak të një defekti teknik.
Ky është rasti i dytë i bllokimit të drogës që kalon me avion nga Shqipëria në Itali.
/portali DurrësLajm/