Mediat italiane i kanë kushtuar më shumë rëndësi faktit se në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Bosnjës kanë qenë protagonistë dy futbollistë të cilët i përkasin skuadrave romane, Romës dhe Lacios.“Festa Xheko, goli numër 50 me Kombëtaren”, shkruan “Corriere Dello Sport” për duelin e kuqezinjve ndaj boshnjakëve.“Xheko dhe Luliç gol, Bosnja fiton në Shqipëri”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport” që thekson se dy lojtarët bënë provat për derbin e Romës me golat e tyre, por ndonëse Shqipëria rihapi ndeshjen me Balajn, nuk arriti të merrte rezultat pozitiv.

Ndërsa portali italian “Vavel” i ka vënë titullin “De Biazi fundoset nga Seria A e tij”, duke kujtuar se golat i shënuan dy lojtarët “italianë” të Bosnjës, ata që aktivizohen në Serinë A.“Sportmediaset” në përmbledhjen e miqësoreve të sotme shkruan “Bosnja i fut stërkëmbëshin Shqipërisë”, duke theksuar se pas humbjes në Palermo, Shqipëria e De Biazit është dorëzuar edhe në Elbasan.