Disa ditë më parë në mediat italiane u publikua një lajm ku thuhej se në portin e Ankonas më 8 shkurt ishte kapur një sasi rekord droge, që vinte nga Shqipëria. Policia e shtetit ka reaguar nëpërmjet një deklarate, duke e mohuar lajmin e publikuar nga mediat fqinje.

Njoftimi i plotë i policisë shqiptare:
Në lidhje me një lajm të publikuar në median online, dhe konkretisht duke ju referuar një shkrimi të publikuar në një media të shkruar në Itali, se janë sekuestruar në Ankona 10 ton Cannabis që vinte nga Shqipëria si dhe është arrestuar drejtuesi i kamionit, Ju sqarojmë se: Lajmi është tërësisht i pavërtetë. Nuk ka asnjë komunikatë zyrtare nga autoritetet Italiane ligjzbatuese ku shprehet për sekuestrimin e kësaj sasie lënde narkotike dhe arrestimin e shtetasit shqiptar. Policia e Shtetit ka komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbim informacioni në kohe reale me autoritetet policore italiane të cilat kanë konfirmuar se lajmi është i pavërtetë . Policia e Shtetit mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme të ofrojë informacion zyrtar për cilindo që e kërkon atë.





