6 janar 2014 – Takimi ndërmjet dy qeverive, atij të Kosovës dhe atij të Shqipërisë i paralajmëruar se do të ndodhë me 11 janar në Prizren, është veç një bombë, mediatike që nuk sjell asnjë dobi për Kosovën.Takimi do të përfundojë me një fotografi dhe një kafe të cilën do ta pijë Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi bashkë me homologun e tij nga Shqipëria, Edi Rama në ndonjë kafiteri të qytetit të Prizrenit. Kaq.
Ky është vlerësimi që japin analistët politikë dhe njohësit e ekonomisë rreth përfitimeve që do të arrihen pas takimit të lajmëruar tashmë disa herë me radhë.Dukagjin Gorani, sociolog nga Qendra Liberale Demokrate, thotë se mbledhja e përbashkët e qeverive mund të ketë vetëm efekt medial, e që sipas tij është edhe qëllimi i vetëm i mbajtjes së saj.
“Po të ekzistonte vërtet vullnet për bashkëpunim domethënës, ai do të mund të zhvillohej në nivele fare më të rëndomta, por me efekt shumë më të madh. Shembull, organizimi i punës së përbashkët nëpër ambasada, nën një kulm, dhe nëpër përfaqësi diplomatike do t’i zvogëlonte shumë shpenzimet e panevojshme si për Prishtinën ashtu edhe për Tiranën”, ka thënë Gorani për Express.
Takimi sipas Goranit po ndodh veç sa për të shpenzuar para.
“Edhe Serbia e Maqedonia arritën që, në emër të kursimit financiar, ta fillojnë një bashkëpunim të ngushtë diplomatik, përmes akomodimit nëpër ambasada të përbashkëta. Personalisht mendoj se Beogradi dhe Shkupi kanë shumë më pak afërsi politike e kulturore, se sa Prishtina e Tirana. Mirëpo, si zakonisht, këtu nuk bëhet fjalë për afërsi, por për mençuri. E atë, me gjasë ende nuk e kemi, as në Kosovë as në Shqipëri. Qeverive tona nuk i konvenon kursimi, por shpenzimi”.
Për analistin Halil Matoshi takimi i dy qeverive është veç një flluskë politike, një bombë mediale megjithese dy qeveritë po takohen për të mirën e të dyja vendeve.
“Mirëpo aty do të jetë një takim veç sa për të pirë një kafe dy kryeministrat bashkë dhe për ta bërë një fotografi sepse sa i përket shkëmbimeve tregtare, dihet se Kosova është e fundit të bëjë shkëmbime tregtare me Shqipërinë”, ka thënë Matoshi për Express.
Kjo pasi ai thotë se mes dy shteteve fqinje janë veç 10 milion euro shkëmbime tregtare në vit.
“Më shumë takimi do të ndodh që kryeministrat të shesin patriotizëm anakronik të shekullit të 19’të”.
Sipas Matoshit, dy qeveritë do të ishte më mirë të gjenin një formë tjetër të bashkëpunimit, e jo të organizojnë takim folklorik në Lidhje të Prizrenit.
“Ka shkëmbime kulturore, humane, ndihmë politike në strukturat e mëdha botërore si është OKB e OSBE apo NATO në të cilat Kosova nuk merr pjesë, e pse jo edhe në caktimin e një përfaqësuesi në rajonet ku Kosova nuk ka kapacitete apo mundësi të merr pjesë”.
E jo të ketë takime pa kurrfarë dobie.
“Ndoshta e mira e krejt këtij takimi është që të dy qeveritë të dakordohen për krijimin e një fondi për Luginën e Preshevës. Kjo do të ishte një punë e mirë e këtij takimi”.
Dy qeveritë me këtë takim kanë thënë se do të ndërtojnë një qasje të përbashkët strategjike për të hapur perspektiva të reja ekonomike, sociale e kulturore për qytetarët tanë. Kjo mbledhje do të zhvillohet edhe në shenjën e solidaritetit me bashkësinë shqiptare të Preshevës, të cilës të dyja qeveritë do t’i akordojnë një fond të posaçëm ndihme për ngritjen e maternitetit të ri.E ditë më pare Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës i bën thirrje urgjente qeverisë së Shqipërisë që të shqyrtojë pakon e re fiskale që ka të bëjë me eksportin e produkteve kosovare në tregun shqiptar. Pakoja e re fiskale, tha ai, e bën të pamundur zhvillimin e tregut kosovar në shtetin shqiptar, ndërkohë që pala kosovare është fleksibël ndaj mallit shqiptar në tregun kosovar.Sipas kryetarit te OEK-ut, Safet Gërxhaliu, taksat me pakon e re kanë një kosto të papërballueshme. Gërxhaliu ka theksuar se ka ardhur koha kur duhet mënjanuar patriotizmi folklorik.
"Si dy shtete të një populli të ndarë jemi lodhur me një formë të patriotizmit folklorik dhe ndaj një politike ilirike që i përcjell këto raporte”, ka thenë Gërxhaliu në vigjilje të Vitit të Ri 2014.





