Pas deklaratave të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, se Kosova e Shqipëria do të bashkohen nëse BE i mbyll dyert Ballkanit Perëndimor, kanë filluar thumbimet e para nga ana e Serbisë sidomos nga Vuçiç. Ai fillimisht, e më pas edhe mediat e kontrolluara prej tij, kanë shpikur histori duke thënë se Kosova dhe Shqipëria po përgatiten për luftë, me ndihmën e Turqisë, për ta realizuar idenë e Shqipërisë së Madhe. Gazeta serbe “Informer” në numrin e sotëm të gazetës, në ballinë ka nxjerrë tekstin, ku thotë se “Erdogan po përgatit Thaçin e Ramën për luftë, për ta bërë Shqipërinë e Madhe”.
Sipas atij pak teksti që shkruhet në ballinën e gazetës të prezantuar sot, thuhet se agjentët turq në Shqipëri dhe Kosovë, bashkë me shqiptarët po përgatisin luftë në Ballkan. Ata, sipas kësaj gazete, po blejnë armë dhe raketa anti-tank. Plani thuhet të jetë ndërhyrja në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, e të merret edhe Kumanova dhe Shkupi. Paratë për blerjen e armëve, sipas kësaj gazete, po i jep multimilioneri prishtinas, Behgjet Pacolli.
Me tekst të njëjtë sot në faqen e parë e ka edhe gazeta tjetër serbe “Vecernje Novosti”, ku thuhet se “Agjentët turq po e shtyjnë projektin e Shqipërisë së Madhe”.
Këto tekste të gazetave duket se janë shkruar me urdhra të Vuçiçit, pasi ai dje gjatë ditës deklaroi se agjentët serbë kanë zbuluar se projekti i Ramës dhe Thaçit për Shqipërinë e Madhe po bëhet në koordinim me ndihmën e të paktën një shërbimi sekret të huaj.
Vuçiç tha se është i habitur pak nga Rama e Thaçi në idenë e tyre që po punojnë me një shërbim i cili nuk është i ndonjë shteti nga superfuqitë botërore. Ai nuk e përmendi emrin se për shërbimin e cilit shtet bëhet fjalë, sigurisht për të mos nxitur konflikt diplomatik me Turqinë.