26 korrik 2015 – “Shqipëria është një kombëtare konkurruese dhe kohët e fundit ka arritur të fitojë në Portugali”. Ky është titulli që i vendos analizës që gazeta “AS” i bën skuadrës së drejtuar nga Giani De Biasi. Në një shkrim të shkurtër, e përditshmja madrilene paralajmëron trajnerin Del Bosque për eliminatoret e Kupës së Botës 2018.
“Kohët e fundit shqiptarët kanë arritur të marrin një fitore në shtëpinë e Portugalisë dhe tani kanë mundësi reale për të arritur fazën finale të të Euro 2016. Rritja e kësaj skuadre është shumë domethënëse, sidomos nëse e krahasojmë me vitet e shkuara. Me regji të Gianni De Biasit, ish-trajneri që ka drejtuar edhe Levanten, skuadra është e përbërë nga lojtarë që luajnë në liga prestigjoze si Berisha e Cana te Lazio, Abrashi te Freiburg apo Lenjani te Rennes”, nënvizon e përditshmja “AS” që e rendit Shqipërinë menjëherë pas analizës që i bën Italisë së Contes.
E përditshmja tjetër madrilene, “Marca” e mendon krejt ndryshe. “Përveç Italisë, pjesa tjetër e skuadrave nuk duhet të na krijojnë shumë probleme, veçanërisht Shqipëria dhe Lihtenshtejni, ndërsa Maqedonia dhe Izraeli mbeten skuadra të forta në shtëpi”, shkruhet mes të tjerash në gazetën më të madhe sportive në Spanjë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/