PRISHTINE- Partia e kryeministrit Hashim Thaçi, nuk është e gatshme që të prishë koalicionin me partinë e biznesmenit Behxhet Pacolli, edhe nëse në koalicion përfshihet Aleanca e Ramush Haradinajt. Në PDK thonë se me zgjerimin e koalicionit qeverisës, Thaçi nuk do ta lëshojë Pacollin, por do ta mbajë atë së bashku me Haradinajn, që të dy si zëvendëskryeministra.

Fati i bashkëqeverisjes së dy partive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK-së dhe AAK-së do të vazhdojë të mbetet edhe për një kohë i paqartë, por ajo që dihet është se kryeministri, Hashim Thaçi, është në favor të zgjerimit të koalicionit, duke mos e lëshuar Behxhet Pacollin, shkruan “Zëri”. 

“Ne e mirëpresim zgjerimin e koalicionit, por AKR-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisjes, sikurse edhe zëvendëskryeministri Pacolli do të vazhdojë të mbajë pozitën që ka”, ka konfirmuar për gazetën shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. 

Madje, ky i fundit ka thënë se partnerët e koalicionit aktual janë stabil dhe duke funksionuar mirë dhe në këtë drejtim, ka pohuar ai, s’ka asnjë krizë.