DURRËS, 1 mars 2014 –  Në kaosin që ka përfshirë Ukrainën, zëra nga ish-opozita, që ka marrë pushtetin, po kërkojnë hetim edhe për trafikun e armëve midis dy ndërmarrjeve shtetërore të eksportit-importit të materialeve ushtarake të Ukrainës dhe Shqipërisë, shkruajnë rrjete on-line të Kievit. Nisur nga kërkesa për të çuar në gjyqin e Hagës ish-presidentin z. Viktor Janukoviç, këto burime informative përmendin rastin e shitjes së raketave ukrainase Tiranës dhe që përfunduan në duart e Hezbollahut. Po ashtu, opinioni publik i këtij vendi është tronditur dhe nga denoncimi që i bëri Azerbajxhani në vitin 2012, kur ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë ishte z. Arben Imami, marrëveshjes së fshehtë midis Ukrainës, dhe Armenisë (një shtet pro-Kremlinit), duke përdorur aeroportin shqiptar të Rinasit për shitjen e fishekëve ukrainas.

Info

Në mars 2007 ministri shqiptar i Mbrojtjes i asaj kohe z. Fatmir Mediu vizitoi Kievin (në foto, 16 mars 2007, konferencë e përbashkët shtypi e ministrave të Mbrojtjes së Ukrainës dhe Shqipërisë). Z. Mediu ka transmetuar përshëndetjet e Kryeministrit shqiptar z. Sali Berisha për z. Viktor Janukoviç. Sipas homologut ukrainas të z. Mediu, z. Anatoli Gritsenko, gjatë 10 vjet vjetëve të fundit (1997-2007) nuk ka vizituar Ukrainën ndonjë ministër shqiptar i Mbrojtjes. Kontaktet u ripërtërinë gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të Evropës Juglindore në vjeshtën e vitit 2006 në Shqipëri. “Madje, nuk ka pasur plane vjetore bashkëpunimi, dhe gjatë bisedimeve ne ramë në ujdi që të hartojmë plane të tilla”, – tha kreu i dikasterit ukrainas të Mbrojtjes. Sipas tij, Ukraina dhe Shqipëria në vitin 2007 synonin të përgatisnin një marrëveshje për bashkëpunimin ushtarak-teknik. Gjithashtu ministri i Mbrojtjes i Ukrainës bëri të ditur se Shqipëria po shqyrton problemin e blerjes së armatimeve ukrainase. Z. A. Gritsenko nënvizoi se nuk është diskutuar në detaje për këtë çështje, por delegacioni shqiptar bëri të ditur mbi planet për blerjen vitet e ardhshme të llojeve të veçanta të armatimeve. “A do të marrë në konsideratë Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë prodhimin e kompleksit ushtarak-industrial ukrainas, mund të flitet pas bisedimeve përkatëse me kompaninë “UkrSpetsEksport”, që ka rolin kryesor në Ukrainë në tregtinë e mallrave me destinacion special dhe ushtarak”, tha z. Gritsenko.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/