Gjermanët e Bajernit të Mynihut janë interesuar që mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit që aktivizohet te skuadra e Napolit në Serinë A, Elseid Hysaj, të kalojë në Bundesligë. Mediat gjermane shkruajnë se Bajerni është në kërkim të një mbrojtësi të djathtë dhe sytë janë drejtuar në Kampionatin italian. Sipas burimeve të cituara nga “tz.de” (Tageszeitung), Elseid Hysaj është në dijeni për interesimin të Bajernit, paçka se kontrata e tij te Napoli përfundon në 2020-ën.
Mediat shkruajnë se vlera e Hysajt aktualisht në treg është 9 milionë euro, por kjo nuk duhet një shqetësim për Bajernin, i cili është vënë në kërkim të një mbrojtësi. “Pozicioni i mbrojtësit të krahut të djathtë është një vend vakant pothuajse në të gjithë klubet më të mira europiane. Ka pak lojtarë të klasit botëror dhe janë akoma të rinj. Filip Lahm dhe Rafinha kanë një moshë të caktuar tashmë. Drejtori teknik, Michael Reschke, është vënë në kërkim të zëvendësuesve”,-shkruan media gjermane.