Itali, 20 maj 2014– Në katër media italiane, përfshirë prestigjozen “Corriere della Sera”, jepet alarmi për avionët që mbërrijnë me drogë në Itali nga Shqipëria. Në shkrime, me një gjuhë mjaft profesionale, jepen të dhëna se si funksionon ky trafik. Theksohet se vitet e fundit në Europë nën shembullin e trafiqeve nga Amerika Latine për në SHBA, është shtuar përdorimi i mjeteve ajrore për trafikim droge nga Maroku për në Spanjë e Portugali, nga Franca e Belgjika për në Angli, nga Hollanda në vendet balltike e muajt e fundit nga Shqipëria në Itali.

Ky lloj trafiku lehtësohet nga mungesa e madhe e kontrollit ndaj transporteve të tilla. Nga lehtësia për t’u ulur e ngritur e avionit edhe në mikro aeroporte madje edhe me pista me bar, si edhe nga mundësia që të tillë avionë të përdoren pa vështirësi edhe nga pilotë me një minimum kualifikimi.

Për Shqipërinë pasi analizohet rasti “ Riformato “, pasi përshkruhen lumenjtë e kanabisit drejt Greqisë, Italisë e Bavarisë, me rrugë tokësore apo detare, jepen të dhëna për këtë mjet të ri tafikimi droge në aksin Shqipëri-Itali.

Pikërisht për këto udhëtime të avionëve Shqipëri – Itali muaj më parë është dhënë alarmi nga 007-at italiane. Kuestura e Milanos është informuar zyrtarisht për të tilla udhëtime. Destinacioni i drogës shqiptare është kryesisht veriu i Italisë. Për agjensitë ligjzbatuese italiane goditja e këtij trafiku ajror në territorin italian mbetet e vështirë. Në rajonin e Venetos ka mbi 70 mikro aeroporte të tilla, në Rajonin e Friulit 30, ndërsa në rajonet e Piemontit dhe Lombardisë nga 80 secili, d.m.th. për italianët është njëlloj sikur të kërkojnë gjilpërën në mullarin e kashtës. Ky kërkim bëhet edhe më i vështirë në fundjavë, kur në qiejt italianë vërshojnë avionë të tillë të lehtë e super të lehtë me turistë apo biznesmenë nga Gjermania, Sllovenia e Austria. Zëra mjaft të informuar të policisë italiane përmendin mbërritjen e një ngarkese të madhe droge para pak javësh  në një aeroport të Rajonit të Emilia Romanjës, por në këtë rajon janë të lincensuar 60 mikro aeoporte të tilla, hajde gjeje se ku ka zbarkuar droga nga Shqipëria.

Italianët janë të shqetësuar se nga Shqipëria, krahas tonelatave me kanabis të cilësisë së mirë të prodhimit lokal, po mbërrijnë edhe kuintalë heroine të hyra në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturës “rruga turke” e tranzitimit të heroinës.

Për italianët mënyra më e mirë e bllokimit të këtij lumi droge është kombinimi i masave shtrënguese për mikro aeroportet, për fluturimin nga këto mikro aeroporte të avionëve të lehtë dhe ultra të lehtë, me një goditje të trafikut në vendin e origjinës në Shqipëri.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/