Trajneri i përfaqësuese shqiptare, Gianni De Biasi thotë se largimin e ka pasur më shumë të imponuar nga mungesa e vullnetit të Federatës Shqiptare të Futbollit për të biseduar për një rinovim të mundshëm.Lajmin, italiani i pankinës kuqezi e la ta thotë dy ditë pas suksesit shumë të rëndësishëm me Izraelin, në Haifa.“Në fund të kualifikueseve do të largohem nga Kombëtarja shqiptare. Si çdo histori tjetër normale, edhe kjo ka një fillim dhe një fund. Shqipëria nuk ka nevojë të bëjë revolucion, pasi ‘makina’ është gati. Mund të isha larguar pas Europianit, kur u kontaktova nga federata të ndryshme. Mora oferta milionere, por qëndrova këtu për të vijuar punën e nisur. Për sa kohë do të jem këtu do të jap 110 përqindëshin tim”, tha De Biasi.Por dukshëm, diçka është thyer prej kohësh mes tij dhe Federatës.“Ekziston një mentalitet që nuk më pëlqen. Në rast suksesi, fitojmë të gjithë. Në rast disfate humbas vetëm unë”, tha tekniku italian.
De Biasi shpërdoroi një mundësi të artë për të firmosur me Jiangsu në Kinë, ekip që mbuloi me miliona një tjetër italian si Fabio Capello.Mediet e Apenineve e cilësuan të helmuar shpërthimin e trajnerit ndaj FSHF-së. “I lënduar nga kritikat e shumta kohët e fundit dhe i ndërgjegjshëm që kishte dhënë gjithçka për kauzën, Gianni De Biasi i jep lamtumirën Kombëtares shqiptare”, shkruan “Sport e Vai”.“Corriere dello Sport” e cilëson një lamtumirë të hidhur të ndikuar nga presidenti Armand Duka, ndërsa kanë nisur që tani pretendimet e ekipeve për të marrë në stol trajnerin e rikthyer në Itali. De Biasi po joshet jo pak për provuar sërish Serie A, një kampionat të cilin e la pa shkëlqim në vitin 2010 kur drejtonte Udinezen.