TIRANË, 2 prill 2013 –“Si të lëpish mjaltë nga një gjemb”, ky është përcaktimi më elokuent por dhe më i hidhur për aleancën hipotetike PS-LSI. Kështu thuhet në editoralin e gazetës “Dita” të shkruar nga kryeredaktori Adrian Thano.  Kjo e përditshme që brenda pak muajsh zuri vendin e dytë në tirazh, për shkak të frymës së thellë antiqeveritare dhe në mbështetje të opozitës së bashkuar, në numrin e sotëm është treguar tejet e ashpër dhe me intervistat, forumet, që kanë marrë një rol më tepër se editoriali.  Sipas Thanos, marrëveshjen Rama-Meta “më optimistët e quajnë “të domosdoshme”. Askush nuk e quan një lëvizje të mirë. Shumica e kanë sulmuar ashpër”.

Marrëveshje  Berisha- Meta

Thano thotë se për Edi Ramën “askush nuk e di ende çfarë ka në mend para dhe pas 23 qershorit. Kurrë nuk e rroku dot rregullin bazë: Jepu njerëzve atë që duan – më pas mund t’u japësh atë që do ti”.

Po në “Dita”, politikani veteran i së majtës, Sabit Brokaj, që u largua bujshëm nga LSI-ja, deklaron: “Para se të besoj në një marrëveshje midis Ramës dhe Metës, besoj në një marrëveshje mes Berishës dhe Metës. Kjo është marrëveshja e interesave që ata i mban të lidhur fort me njëri-tjetrin prej katër vjetësh”. Brokaj argumenton se “Berisha do ta lejojë Metën që të bëjë këtë lëvizje të fundit që po flitet, pra të afrimit me Ramën para këtyre zgjedhjeve, pasi ka siguruar 71 vota për qeverinë e tij, në mënyrë që ta kthejë prapë Metën në stanin e tij pas zgjedhjeve”.

“Ylberi”

“Meta kalon ylberin. Por a do të bjerë Berisha?”, kështu e titullon editorialin e dytë brenda numrit të “Ditës” ish-korrespodenti i “Zërit të Amerikës” Xhevdet Shehu. Për komentuesin Shehu “duket si rrufe në qiell të kthjellët: Ilir Meta divorcohet nga Berisha dhe kthehet te foleja e vjetër, pra në familjen socialiste? Pse po afrohet Meta tek PS-ja dhe pse pikërisht tani në prag të zgjedhjeve?”. Kolumnisti arsyeton se “pavarësisht largimit të Metës do të shkojmë në zgjedhje me këtë qeveri, pra me Berishën Kryeministër. Atëherë? Ç’vlerë do të kishte një marrëveshje Rama-Meta? Edhe nëse pranojmë opsionin “jo e mirë, por e domosdoshme”, për çfarë do shërbente nëse minimalisht nuk shkojmë drejt një qeverie teknike?”.

Lorenc Vangjeli ka një optikë interesante për PS-LSI-në hipotetike: “Ajo që do të ndodhë, dhe për këtë jam i sigurt, është fakti se të gjithë zërat publikë që deri dje ishin avokatë të martesës me kontratë mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste nga nesër do të jenë prokurorë për këtë rikthim të LSI-së”.

“Djalli fshihet te detajet”

Skënder Minxhozi, kryeredaktor i  së përjavshmes “Java”, në një koment në “Shqip”, përdor shprehjen fluturake “djalli fshihet te detajet” në ujdinë potenciale Rama-Meta. “Sa mandate do të marrë LSI nga marrëveshja me PS? Cila do të jetë pesha e saj në ekzekutivin e nesërm? Sa të lehtë do ta kishte nesër për të qeverisur Kryeministri Rama, duke pasur pas shpine kushtëzimin e fortë numerik të Ilir Metës, një person i cili ka pasur gjithmonë një problem me faktin që kreu aktual i opozitës mund të ulej një ditë në poltronin që sot mban Sali Berisha?”, analizon Minxhozi.  Kolumnisti i njohur thotë se Rama dhe lidershipi socialist “do të duhet të mësohen me idenë e një kolegjialiteti më të madh në qeverisje, sesa ai i sotmi, kur torta e pushtetit do të ndahej eventualisht vetëm me Gjinushin, Milon, Ngjelën apo edhe Spahiun”.

Heqja e tullës

Përpjekja e Ramës “për të rilindur të majtën përfundoi siç shihet në një gjest që ringjalli Ilir Metën”, më i revoltuari dhe më i zhgënjyeri në këtë çorbë, duket të jetë botuesi i gazetës “TemA”, polemisti më “hard” i gazetarisë shqiptare Mero Baze. Qysh në mbrëmjen e 1 prillit,  në versionin online të gazetës së tij, nuk ka duruar pa shprehur gjithë mllefin e akumuluar ndaj një aleance Rama-Meta: “Opozita që kam mbështetur prej 4 vitesh, ka dështuar. Koalicioni që ka qeverisur prej katër vitesh, po ashtu ka dështuar. Në mënyrë paradoksale rotacioni i 23 qershorit nuk do të prodhohet nga beteja jonë, por nga dështimi i saj. Në mënyrë të paprinciptë, Sali Berisha nuk rrëzohet nga zullumet e vrasjeve dhe vjedhjeve, nga kapja e shtetit dhe superpushteti personal, por nga heqja e tullës nga një prej bashkortakëve të tij në këto zullume. Në mënyrë të pazakontë, opozita zyrtare do të vijë në pushtet jo nga bashkimi i faktorëve opozitarë, por nga aleanca me një pjesë të qeverisë”.

Pengjet

Baze është në një gjatësi vale dhe me Brokajn teksa vëren: “Edi Rama dhe Ilir Meta me gjasa janë bashkuar në mënyrë jotransparente për ta rrëzuar, por jo për ta mundur Sali Berishën. Faktori më i rëndësishëm opozitar, Partia Socialiste, i ka dhënë fund betejës për një koalicion të gjerë opozitar për mundjen e Sali Berishës”.

Baze mendon se PS-ja “ka zgjedhur një rrugë të lehtë, të shkurtër dhe plot pengje për të ardhmen. Ka zgjedhur ta rrëzojë atë, në të njëjtën mënyrë si ai ka ardhur në pushtet me hile. Ka zgjedhur të faktorizojë dhe të mbajë në jetën politike të këtij vendi Ilir Metën, një nga figurat më të errëta të politikës shqiptare”

Botuesi ësht po aq i ashpër me kreun e opozitës, sa dhe me Berishën: “Edi Rama, nëse prodhon rotacion me këtë pazar, nuk ka më asnjë shans të jetë udhëheqësi i së majtës dhe aq më tepër rilindasi  i saj, por ringjallësi i fantazmave më të këqija të historisë të së majtës pas viteve ‘90”.

Liderët e së majtës ndërkombëtare, vartës të Ramës

Baze nuk i “ha” deklarimet e Pitelës, Stanishevit dhe Papandreut: “Lojërat banale të Ramës me SMS e socialistëve evropianë, që kërkojnë këtë bashkim, janë fyese dhe për socialistin e thjeshtë, i cili ka parë me sytë e vet se si partia e tij ka refuzuar në këtë pikë krerët e Bashkimit Evropian dhe po bën sikur po dëgjon ca nëpunës socialistë evropianë, nga ata që në Internacionalen Socialiste janë vartës të Edi Ramës”.

Dera hapur për Sali Berishën

Dhe si epolog të editorialit, Baze thotë se “kjo histori ka dhe një banalitet që lidhet me pushtetin vendor. Ilir Meta si pjesëtar i koalicionit qeveritar, është faktor vendimtar për shumicat e qarqeve të Shqipërisë në bashkëpunim me PD-në. Nga mënyra se si po sillet me qeverinë, që edhe do bashkëpunojë me Edi Ramën, edhe nuk do ikë deri më 23 qershor, kam frikë se do sillet dhe me pushtetin vendor, duke qenë në aleancë me Edi Ramën për qeverinë dhe në aleancë me Sali Berishën për bashkitë dhe komunat. Nëse kjo ndodh, atëherë i gjithë ky ngjan me një pazar që ruan një derë hapur sërish me Sali Berishën, duke na u kthyer në një trafikues jo vetëm të pushtetit, por të çdo vlere morale dhe çdo parimi politik në këtë vend”.

Fundi i opozitës së bashkuar

Këtë pazarllëk të mundshëm Rama-Meta nuk e ka gëlltitur as koordinatori i opozitës së bashkuar Preç Zogaj, i cili në “Panorama” deklaron se “nëse LSI-ja nuk do të kishte bërë koalicion me PD-në në vitin 2009, nuk do të kishte ndodhur as ngjarja e 21 janarit”. Për Zogajn çdo bashkëpunim me LSI-në “do të shënonte automatikisht fundin e opozitës së bashkuar si e tillë dhe dështimin arbitrar të saj, e cila, në humbjen fatale të besimit, heq dorë nga synimi normal i çdo opozite për të fituar si alternativë e pushtetit, duke i rënë në gjunjë një fragmenti të pushtetit”.

Politikani dhe publicisti i mprehtë Preç Zogaj konstaton se “Rama, sipas një mendimi mjaft të përhapur në mjediset mediatike, do të digjte për herë të dytë shansin e ndryshimit, herën e parë në vitin 2009 duke mos e marrë Metën dhe, herën e dytë në vitin 2013, ironikisht, duke e marrë Metën”.

“Historia u zhbllokua”

Botuesi i “MAPO”-s Henri Çili, i afërt me PD-në dhe Berishën, jep më shumë se një konsideratë në shkrimin me titullin “Konsiderata paraprake për koalicionin e pritshëm Rama-Meta”. Çili thotë se “Historia u zhbllokua”, dhe me këtë ka parasysh që e djathta paskëtaj mbetet në fatin e vet, dhe që procesi politik brenda saj do duhet të rikonceptohet nga e para. Më tej, ai nënvizon faktin që, me këtë ngjarje, virusi i pragmatizmit ka prekur tanimë cilindo në politikën shqiptare. Opozita nuk ka mundësi të propozojë një rend të ri moral në këto rrethana kur “të gjithë bashkë kanë qenë së paku njëherë me të gjithë e njëherë kundër të gjithëve në këtë histori të tranzicionit”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/