TIRANE– Ministri i mjedisit Fatmir Mediu ka prezantuar sot projektvendimin e qeverisë për “Kullimin dhe [përdorimin e llumrave të ujërave në bujqësi”.

Në fjalën e tij, ministri Mediu kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve për implementimin e këtij projekti dhe për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.

“Ajo që kërkohet është që të shqyrtohet me kujdes cilësia e këtyre llumrave dhe shkalla e rrezikshmërisë që ato paraqesin për shëndetin e njeriut. Shqipëria ka 2 impiante të trajtimit të ujrave të ndotura, në Pogradec dhe në Kavajë.

Por edhe shumë bashki të tjera duhet të ndërmarrin nisma për financimin e këtyre impianteve të trajtimit të ujrave të ndotura.Ndërtimi i impianteve është shumë  e rëndësishëm për pastrimin e ujit në zonat bregdetare” ka theksuar Mediu.

Mediu theksoi se qeveria ka ndërmarrë një sërë projektesh në qytete të ndryshme për trajtimin e ujrave të ndotura ndërsa u shpreh optimist që ky projekt do të përmbushë të gjitha objektivat në funksion të mbrojtjes së mjedisit.

Gjithashtu Mediu kërkoi angazhimin e të gjithë aktorëve për implementimin në çdo detaj të ligjit për menaxhimin e mbetjeve.

Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi u shpreh se Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë projekte të tilla të rëndësishme që bëjnë të mundur përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.