DURRES, 30 maj 2013 – Në kuadrin e fushatës elektorale, kreu i republikanëve Fatmir Mediu ka vijuar të jetë në krah të Agron Dukës, kandidatit kryesues të listës së forcës politike që ai drejton, gjatë takimeve me elektoratin.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kandidati për deputet i PR-së në qarkun e Durrësit, Agron Duka, zhvilluan një vizitë në një fabrikë rrobaqepësie në zonën e Shijakut.
Gjatë takimit dhe bashkëbisedimit me punëtoret e kësaj fabrike, kreu i republikanëve shqiptarë Mediu theksoi se "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” do të bëjë gjithçka në mënyrë që Shqipëria të zhvillohet nëpërmjet bizneseve dhe nismave të lira dhe të ndershme.
Gjatë këtij takimi, kandidati për deputet, ish-ministri i Bujqësisë Agron Duka theksoi se ai asnjëherë nuk i ka humbur kontaktet me elektoratin, qoftë ky i majtë apo i djathtë, pasi marrëdhënia politike me qytetarët është pjesë e marrëdhënieve humane.
“Marrëdhënien politike unë e kam me PR-në"- theksoi Duka.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





