Partia Republikane mbetet besnike për të qëndruar në krah të PD-së dhe partive të tjera të bllokut opozitar për kauzën e zgjedhjeve të lira.
E ndërsa nesër mbaron afati për regjistrimin e partive në KQZ për garën e 18 qershorit, kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, tha se PR nuk do regjistrohet në zgjedhje për sa kohë nuk kemi një qeverisje që garanton një proces të lirë dhe të ndershëm.
Në mbledhjen e Asamblesë së PR-së, ai kërkoi mbështjen edhe të anëtarëve të saj për të votuar pro këtij vendimi.
“Ne si Parti Republikane bashke me PD-në dhe parti të tjera kemi vendosur jo të bojkotojmë zgjedhjet, por kemi vendosur të mos lejojmë zhvillimin e zgjedhjeve të kontrolluara nga krimi dhe korrupsioni, kemi vendosur që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira dhe të ndershme dhe kjo është përgjegjësi e çdo qytetari, por sidomos e forcave politike që pretendojnë se i përfaqësojnë këta qytetarë.
Nesër mbaron afati i regjistrimit i partive politike. PR si parti e opozitës ka vendosur që bashkë me PD-në dhe partitë e tjera që nuk do të regjistrohet në këto zgjedhje për sa kohë nuk do të kemi një qeverisje e cila të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj kërkoj dhe miratimin e kësaj Asambleje që të gjithë ne këtu të votojmë sot për mosregjistrimin e PR-së së bashku me partitë e tjera që të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”, deklaron Mediu.





