TIRANE, 27 mars 2013– Për ministrin e mjedisit Fatmir Mediu, një sfidë, që duhet të përballohet akoma është forcimi i strukturave inspektuese.
Në një takim me një perfaqësi të Njësise për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Zgjerimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Mjedisit në BE, i cili kryesohej nga shefi i kësaj njësie, Nicholas Hanley, ministri Mediu i garantoi ata se mjedisi dhe zhvillimi e mbrojtja e tij, ngelin një prej prioriteteve, në të cilat kjo qeveri ka një angazhim gjithnjë e në rritje.
Ministri Mediu gjithashtu ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim për mbështetjen kolosale që ata kanë dhënë në zhvillimin e qëndrueshëm të mjedisit në Shqipëri, me anë të financimit të projekteve, por gjithashtu edhe nëpërmjet forcimit të kapaciteteve.
Ministri Mediu u shpreh se tashmë Shqipëria ka një legjislacion tërësisht evropian përsa i përket fushës së mjedisit, si dhe u bëri prezent përfaqësuesve të BE-së një sërë arritjesh në këtë drejtim.
Ndërsa Drejtori Hanley, shprehu interesin e Zyrës që drejton për ambiciet që ka MMPAU në të ardhmen. Ai vlerësoi të gjitha hapat që janë bërë në drejtim të mbrojtjes dhe i shprehu ministrit Mediu mbështetjen e BE në financimin dhe zbatimin e projekteve, si dhe në ndihmën që BE është e gatshme të japë për forcimin e kapaciteteve dhe strukturat mjedisore në Shqipëri.
Ndërkohë në fokus të këtij takimi ishte asistenca e BE në Mjedis, rëndësia që BE i ka dhënë të gjitha problematikave mjedisore në Shqipëri, si dhe u diskutua për projektet dhe planin strategjik që MMPAU ka parashikuar në të ardhmen, duke qenë se në BE, është duke u hartuar IPA 2 (instrumenti i ri financiar), që mundëson zhvillimin dhe financimin e projekteve.





