Meghan Markle dhe Princ Harry po përgatisin një projekt të ri me tematikë dasme për Netflix, edhe pse bashkëpunimi i tyre i deritanishëm me platformën nuk ka qenë pa zhgënjime.
Sipas Deadline, Duka dhe Dukesha e Sussex do të jenë producentë të adaptimit filmik të romanit “The Wedding Date”, libri i parë i një serie me gjashtë tituj nga autorja bestseller e New York Times, Jasmine Guillory.
I botuar në vitin 2018, “The Wedding Date” ndjek historinë e Alexa Monroe, e cila pranon të jetë “takimi i rremë” i Drew Nichols në dasmën e ish-të dashurës së tij, pasi të dy mbeten të bllokuar në një ashensor. Pra, një komedi romantike me skemën klasike “fake date”, por me premisën që premton situata plot tension e humor.
Një përfaqësues i Harry-t dhe Markle (të cilët u martuan në vitin 2018) nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Page Six për koment.
Në vitin 2020, Meghan dhe Harry nënshkruan me Netflix një marrëveshje shumëvjeçare të raportuar rreth 100 milionë dollarë, afro nëntë muaj pasi hoqën dorë nga rolet si anëtarë “senior” të familjes mbretërore.
Lajmi për filmin e ri vjen rreth pesë muaj pasi Page Six raportoi ekskluzivisht se marrëveshja e tyre me Netflix do të përfundonte këtë vit. Megjithatë, kompania e tyre Archewell Productions ka rënë dakord për një marrëveshje të re të tipit first-look me platformën por me pagesë dukshëm më të ulët.
Një burim i cituar nga Page Six në korrik ka thënë: “Ka më shumë projekte televizive që po vijnë së shpejti, me të dy, dukën dhe dukeshën.”
Sipas artikullit, çifti pritet të ndjekë një model të ngjashëm me atë të ish-presidentit amerikan Barack Obama dhe bashkëshortes së tij Michelle Obama, kompania e të cilëve Higher Ground ka një marrëveshje të ngjashme me Netflix.
Deri më sot, partneriteti i Sussex-ëve me Netflix ka prodhuar dokumentarë, seri të skenarizuara, filma, programe sportive dhe lifestyle, përfshirë: “Polo,” “Heart of Invictus,” “Harry & Meghan,” dhe “Live to Lead.”
Ndërkohë, Meghan ka edhe një emision lifestyle të titulluar “With Love, Meghan”, por sezoni i dytë nuk pati sukses, duke mos arritur të futet në listën e shumëkërkuar Top 10 të Netflix.





