Një zëdhënës i Meghan Markle tha se ajo arriti t’i dërgonte një letër babait të saj të shtruar në spital, pavarësisht se Daily Mail shkeli kufijtë e qartë etikë duke raportuar nga dhoma e tij e spitalit.

Thomas Markle, babai i Meghan Markle , është në një spital në Filipine pasi i është prerë këmba.

Meghan, e cila u martua me djalin më të vogël të Mbretit Charles III në vitin 2018, ishte përpjekur të lidhej me të, tha zëdhënësi, pas vitesh ndarjeje.

“Me një gazetare të Daily Mail pranë shtratit të tij në çdo kohë, duke publikuar çdo ndërveprim dhe duke thyer kufijtë e qartë etikë, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për Dukeshën të kontaktojë privatisht të atin, pavarësisht përpjekjeve të saj gjatë ditëve të fundit”, tha një zëdhënës të mërkurën.

“Me mbështetjen e kontakteve të besueshme dhe të verifikuara, korrespondenca e saj tani është e sigurt në duart e tij”, shtoi ai.

Konglomerati DGMT, i cili zotëron Daily Mail, nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment.

Çifti ka ngritur padi të shumta kundër organizatave mediatike që nga viti 2019, me Harry-n që e quajti këtë një mision për të vërtetën dhe llogaridhënien pas dekadash ndërhyrjeje të medias në jetën e tij.

Në çështjen e fundit gjyqësore, Harry dhe gjashtë të tjerë, përfshirë këngëtarin Elton John, po padisin Associated Newspapers, botuesin e Daily Mail, për mbledhje të paligjshme të informacionit gjatë 30 viteve të fundit.

Gjyqi do të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm.

Meghan dhe babai i saj kanë qenë të ndarë që para dasmës së saj me Harry-n. Disa ditë para dasmës, Thomas Markle tha se nuk do të merrte pjesë për shkak të shëndetit të dobët, pasi pranoi se ai i kishte rregulluar fotot me paparacët. Mediat britanike raportuan se Thomas Markle u zhvendos nga Meksika në Filipine në fillim të këtij viti.