Deputeti Përparim Spahiu ka njoftuar sot vendimin e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie që mbahen me 6 nëntor.
Megjithëse ai është përjashtuar nga grupi parlamentar i LSI-së, kjo nuk e ka penguar të shpallë kandidaturën për të marrë drejtimin e kësaj partie.
“Vendosa sot të kandidoj për kryetar të LSI-së! Nuk mund të vazhdojmë më kështu, shumë gjëra duhet t’i ndryshojmë në bashkëqeverisje”, ka njoftuar Spahiu në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”.
Spahiu bëhet kështu kandidati i dytë që sfidon kryetarin aktual të LSI-së, Ilir Meta, pas njoftimit të profesor Shezai Rrokaj.
LSI e përjashtoi nga grupi deputetin Spahiu më 26 qershor, pas deklarimit të hapur të votës së tij kundër reformës në drejtësi.





