Durrës, 9 korrik 2014Mehdi Ramohitaj rrëfen për një jetë në uniformë, në të cilën kaloi 22 vjet, pa pasur mundësinë që të përfundonte denjësisht karrierën ushtarake. I arsimuar fillimisht në vend në shkollën “Skënderbej” dhe më pas në Akademinë e Shkencave Politike “Lenin” në Moske, Mehdi Ramohitaj do të shërbente në detyra të ndryshme në vend pas viteve ’60. Në kohën kur karriera e tij ushtarake po merrte një rrjedhë normale, akuzat absurde për “mbështetje” të grupi puçist në ushtri, e nxorën shumë shpejt nga ushtria në kohën që ishte vetëm 46 vjeç. Akuzat absurde nga njerëz të paaftë, servilë dhe dembelë që shkatërruan ushtrinë dhe persekutuan shumë ushtarakë të ndershëm në vitet ’70-’80. Në këtë intervistë të gjatë Mehdi Ramohitaj tregon edhe për studimet në Moskë si dhe marrëdhëniet që studentët shqiptarë kishin me studentët e vendeve të tjera.

Cila është origjina e familjes tuaj?

Ndjehem krenar që jam lindur në një fshat me bukuri të rralla natyrore dhe me një pamje mahnitëse, i cili ndryshe quhet edhe “ballkoni i Adriatikut”. Tragjasi është i vendosur në pjesën veri-perëndimore në një pllajë të vogël të rrethuar me përrenj në këmbët e malit të Llogorasë. Siç i themi ne andej, shtroje erë nga furtunat e frikshme jugore të grykës së Llogorasë që shkatërrojnë gjithçka që gjejnë përpara. Ndjehem krenar sepse jam bir i një treve plot virtyte e tradita të mira. Banorët janë punëtorë e atdhetarë, mikpritës dhe bujarë që e duan lirinë dhe luftojnë për të. Janë të shumtë në numër personalitetet e shkolluar e luftëtarët me emër që kanë dalë nga ky fshat në të gjithë kohërat  dhe që kanë dhënë kontribute të vyera për lirinë, prosperitetin dhe begatinë e Atdheut. Këtu mund të përmendet Alem Mehmeti, Ibrahim Shyti, Skënder Muço, Xhaferr Xhuveli etj. Mjafton të kujtojmë luftën e Vlorës në 1920 kundër pushtuesve italianë që ranë në fushën e betejës, tragjasiotë, midis tyre edhe gjyshi im nga nëna Haxhi Pulo dhe vëllai i babait, Zenel Ramohito. Edhe në luftën nacional-çlirimtare morën pjesë me armë në dorë mbi 180 djem dhe vajza të fshatit tonë, 45 prej të cilëve u flijuan për lirinë e Atdheut, ndërsa 4 nga këta janë shpallur “Hero i Popullit”: Zonja Çurre, Kastriot Muço, Shyqyri Alimerko  dhe Maliq Muço. Banorët e kësaj treve asnjëherë nuk janë përkulur para vështirësive të jetës dhe ashpërsive të pushtuesve në luftën e fundit, të cilët për të shkatërruar këtë bazë të rëndësishme të luftës, ndërmorën operacione ndëshkuese të njëpasnjëshme. Fshati u dogj tërësisht, gjithçka u plaçkit dhe u shkatërrua. Banorët mbetën në qiell të hapur dhe u detyruan të jetonin në stane dhe shpella për t’i shpëtuar  ndëshkimit të mëtejshëm të okupatorit. Nga ana tjetër kjo situatë nuk i ligështoi fshatarët e paepur. Në këtë gjendje katastrofike të varfërisë, skamjes dhe mjerimit, të shkatërruar nga lufta, kaloi një pjesë e fëmijërisë time. Situata tejet e vështirë ekonomike, sëmundjet nga dimri i ashpër dhe skamja, nuk e penguan këtë popullatë arsimdashëse  që në vjeshtën e vitit 1944 të rihapnin shkollën 5-vjeçare me klasa të pakta dhe kolektive në xhaminë e fshatit, e vetmja ndërtesë që kishte shpëtuar pa u djegur. Nxënësit bënin një rrugë nga 2 deri në 2.5 orë për të vajtur dhe kthyer nga shkolla.

Si u gjendet në shkollën “Skënderbej”, aq i vogël, vetëm 11 vjeç?

Siç folëm më lart, gjendja ekonomike ishte e mjerueshme dhe unë fillova klasën e III-të i zhveshur dhe i zbathur, njëlloj si gjithë bashkëfshatarët e mi, pothuajse pa libra. Gjithçka e merrnim me shënime nga mësuesi, të gjithë ishim të uritur. Një copë bukë misri ishte dreka jonë e përditshme. Në çdo moment kishim dëshirë të shuanim urinë. Një ditë të shtunë, shokët që bënim rrugën e përditshme nga stanet e bagëtive për në shkollë, propozuan që të shkonim në një bahçe të fqinjit të tyre të dikurshëm dhe të hanim lule nga pemët e porsaçelura (ishte fundi i prillit). Dhe ashtu siç ishim me entuziazëm fëmijëror shkuam në bahçe. Pasi varëm çantat në pemë, të shkujdesur filluam “sulmin” mbi pemët për të ngrënë lulet bashkë me lastarët e njomë që kishin shije të athët. Pronari i bahçes na zbuloi dhe na mori çantat duke na kërcënuar se do të na padiste tek mësuesi. Fëmijët e  tjerë ishin të një fisi dhe nuk bëheshin merak se si do të përgjigjeshin tek prindërit, ndërsa unë isha vetëm dhe po vrisja mendjen se si do të ballafaqohesha me prindërit, sidomos me babain që ishte i patolerueshëm për veprime të tilla. Mesa dukej i kishte ngelur diçka nga kultura amerikane ku kishte punuar për 10 vjet që në moshën 17 vjeçare. Ditën e diel pasi kisha bërë një gjumë plot me ëndrra të këqija, që në mëngjes u largova nga vendbanimi në drejtim të Vlorës, ku kisha qen vetëm një herë në moshën 7-8 vjeçare. Nuk kisha asnjë ide se ku do të shkoja. Në Vlorë atë natë fjeta mbi thasët me misër të fshatarëve që kishin ardhur për pazar (dita e hënë ishte dita e pazarit në Vlorë). Herët në mëngjes u zgjova dhe nuk e di pse vendosa të nisesha në drejtim të Fierit, pa e ditur se ku ishte, por vetëm ecja në këmbë duke pyetur çdo kalimtar nëse kjo ishte rruga për në Fier. Kalova edhe Vjosën me trap, pasi urat ishin shkatërruar nga pushtuesit. Vazhdova përgjatë xhadesë dhe afër perëndimit të diellit arrita në Fier ku krejt rastësisht u gjenda në komandën e vendit që ishte në hyrje të qytetit. Aty papritur takova një bashkëfshatarin tim me uniformë partizani, të cilin unë e njihja. Pasi më pyeti, i thashë desha të shkoja në Tiranë, sepse një vëllai im partizan ishte i sëmurë në spital. Bashkëfshatari i mirë më mori për të bujtur në shtëpinë e tij. Më dhanë për të ngrënë, isha shumë i uritur. Ditën tjetër më hipi në një triçikël me karroceri që kishte ngarkesë me cigare. Zyrtari e porositi pronarin që të më zbriste në Tiranë. Udhëtuam pothuajse gjithë ditën. Lumenjtë Seman e Shkumbin i kaluam me trap. Pasdite mbërritëm në Tiranë dhe unë zbrita në qendër. Bashkëfshatari im më porositi që të paraqitesha në garnizon dhe aty mund të zinte fill zgjidhja e hallit tim.

Po më tej çfarë ndodhi?

Unë duke përmendur gjatë rrugës fjalën “garnizon”, nuk e di se përse m’u fiksua si “organizon” dhe fillova pa droje të pyesja “ku është organizoni”. Siç duket më kuptonin dhe më orientonin drejt. Në fakt ajo ndërtesë dykatëshe që më dukej e stërmadhe dhe me një oborr të gjerë, paskësh qenë afër (në lulishten ku është sot ministria e Kulturës). Edhe këtu më ndihmoi fati. Në atë mori ushtarakësh që lëviznin, hynin e dilnin transit në këtë qendër të partizanëve. Aty pashë xha Ismailin, bashkëfshatari im, madje ishim në një vëllazëri, fis i largët. Ai dallohej, ishte më i gjati nga gjithë të tjerët, ndoshta 190 cm, me trup të drejtë, të plotë e shpatullgjerë. Uniforma angleze e partizanit i rrinte bukur. Edhe ai ishte “dikush”. Ishte komandant i rojeve të sigurisë në ministritë dhe administratën shtetërore.

Si e justifikuat ardhjen në Tiranë, përdorët të njëjtën alibi?

Me xha Ismailin, i cili ishte edhe vëllai i Zonja Çurre, u tregova më i “sinqertë”. I kërkova nëse mund të rregullohesha në strehën vorfënore dhe të vazhdoja shkollën. Ai më tha se ishte shumë e vështirë, por do të përpiqemi të gjejmë ndonjë mundësi tjetër. Ai mesa duket bisedoi me zv/komandantin e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, nënkolonel Sali Ormani, edhe ky bashkëfshatar i yni dhe mik i babait tim. Ai ishte një luftëtar antifashist i orëve të para, i plagosur tre herë me 7 plagë si një luftëtar trim e i çartur dhe komandant i rrallë. Në të njëjtën kohë ai ishte edhe babaxhan e i dhimbshëm, shpirtmirë e me zemër të madhe. Me porosi të tij shkova në shtabin e divizionit që ishte vendosur në një vilë dykatëshe prapa ndërtesës së sotme të ish Komitetit Qendror të Partisë. Më sistemoi në kompaninë e sigurimit të shtabit të divizionit. Aty gjeta edhe dy luftëtarë të vegjël, por më të rritur se unë. Aty ishin edhe Xhemal Imeri, bashkëfshatari im dhe nip i zv/komandantit të Divizionit si dhe Thoma Vasili, një djalë himarjot. 

Ç’ndodhi më pas?

Pas disa ditësh me porosi të zv/komandantit me një zarf që e mbante Thomai, u paraqita në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë (në katin e dytë të ndërtesës ku sot është Ministria e Brendshme). Pritësi ishte një shef i madh, ai na dha një zarf tjetër për t’u paraqitur në shkollën e kadetëve.

Çfarë përfaqësonte ajo shkollë atëherë?

Për atë shkollë kam gjithmonë mall. Sivjet ajo mbush 65 vjet. Ndoshta ia vlen të ndalem, sepse ajo shkollë përvijoi të ardhmen e jetës time. Shkuam në shkollë në zyrën e kryesekretarit, në atë kohë Izet Cani me gradën më të lartë të nënoficerit, por kuadër i lartë, i arsimuar dhe me kulturë. Kishte autoritetin e një oficeri më gradë të madhe në fakt. Në shkollë aso kohe ishin grumbulluar të gjithë pionierët dhe të rinj pjesëmarrës në luftën çlirimtare , sipas një urdhri të shtabit të përgjithshëm në dhjetor 1944. këta do të vazhdonin shkollën për të dalë kuadro ushtarakë. Ishin krijuar dy brigada nxënësish, brigadat e I-rë dhe e IV-t. E para kishte përfunduar organizimin dhe kishte filluar procesin mësimor nga klasa e III-të fillore deri në të klasën e II-të të gjimnazit. Pra në 25 mars 1945 njihet edhe si data e krijimit të kësaj shkolle. Pjesa tjetër e nxënësve kishte formuar Brigadën e IV, e cila ishte në proces e sipër të krijimit të saj. Të dyja ato kishin kuadro të zgjedhur nga kadetët, nga komandant skuadre deri në brigadë, të cilët ndihmonin kuadrot aktivë në zgjedhjen e  detyrave ditore. Deri në muajin qershor vazhdonin të na vinin të rinj nga brigadat partizane dhe numri po kalonte kapacitetin e mundësive për sistemim dhe zgjidhjes së problemeve të procesit mësimor.

Si u veprua që kjo gjë të normalizohej?

Komanda e shkollës e rreshtoi efektivin dhe kërkoi këto gjëra: Kush nuk dëshiron të vazhdojë karrierën ushtarake, të dalë mënjanë; të dalin mënjanë atë që janë pa shkollë të moshës mbi 16 vjeç; të tjerët të rreshtohen sipas klasave. Kështu u bë një lehtësim i numrit të madh të nxënësve, vullnetarët që nuk donin të qëndronin, ata që ishin mbi 16 vjeç analfabetë, u pajisën me një vërtetim për komandat e vendit dhe pushtetin vendor dhe në mënyrë të organizuar u nisën drejt vendbanimeve të tyre. Pjesa tjetër, që ishte me 2, 3 dhe 4 klasë shkollë të moshës 17 dhe 18 vjeç, iu ofruan disa variante: ose të shkonin në kursin njëvjeçar për shofer, mekanizatorë dhe traktorist, ose në specialitete të tjera, shumë të domosdoshëm për kohën. Pra, brigada e IV u riorganizua në batalion me rreth 400-500 vetë dhe filloi mësimin në vitin shkollor 1945-1946 me objektivin që brenda një viti kalendarik të përfundonin dy klasa njëherësh, duke shfrytëzuar edhe pushimet e verës. Për gati tre vjet nuk shkova në shtëpi. Më digjte malli për prindërit, motra e vëllezër. Në vitet 1946 dhe ’47 nga shkolla jonë zgjidhnin  djemtë e klasave të larta, pa mbaruar plotësisht arsimin e mesëm dhe i dërgonin në shkolla ushtarake jashtë shtetit. Në vitet 1952-1953 filluan të vijnë kontingjentet e para me ushtarakë të shkolluar duke nisur karrierën si skënderbegasit e parë. Ndërsa vetë shkolla plotësonte radhët me nxënës nga rrethet e vendit sipas një përzgjedhje të rreptë dhe kritereve që respektoheshin pikë për pikë. Shkolla “Skënderbej” pa mëdyshje ishte shkolla më e mirë e vendit. Me tregues të lartë në mësimdhënie  dhe cilësinë e notës. Trupi pedagogjik ishte zgjedhur me shumë mençuri dhe profesionalizëm. Kishte mësues tepër të aftë dhe të përkushtuar që mbetën gjatë në kujtesën e të gjithë brezave të skënderbegasve si Stavri Angjeli, Kadrie Kopliku, Gjylystane Papajani, Ismet Bellova etj. Edhe kuadrot drejtues ushtarak ishin të shumtë me akademi perëndimore dhe me arsim pedagogjik. Në shkollë u krijuan kushte maksimale  për kohën, u ngritën laboratorë dhe gjithë baza didaktike, u zbukuruan mjediset me lulishte dhe terrene sportive. Gjithçka u bë me duart e njoma të skënderbegasve  dhe nën drejtimin e palodhur të pedagogëve të shkollës. Këtu ndihmoi edhe një grup prej 10-15 robërish gjermanë, që bënë në mënyrë të shkëlqyer gjithçka në shkollë. Nga ky grup dua të veçoj austriakun Karlo. Një djalë bukurosh, biond, i gjatë, me një shikim të ëmbël që komunikonte lirshëm në shqip me këdo. Ai ishte futur në zemrën e kujtdo, jo vetëm në zemrën e Nazes simpatike dhe lozonjare, sekretare e sektorit mësimor, por edhe të komandës, trupit pedagogjik dhe nxënësve. Ishte specialist politeknik i shkëlqyer. Kompetent për gjithçka. Mbaj mend një herë na u ndërpre uji në korpusin mësimor, Karlua kërkoi skemën, e cila nuk ekzistonte. Atëherë ai iu fut rrugës me goditje me çekiç. Sipas ndryshimit të zhurmës vazhdoi derisa e gjeti defektin dhe të cilin më pas e riparoi. Kur u bë gjyqi sekret i Koci Xoxes, ndërtoi nj radiomarrëse me valë sekrete që lidhej me sallën e gjyqit. Ftoi në dhomën e tij, e cila ishte edhe laborator i komandës së shkollës, majorin trim Halim Xhelo, i cili e vlerësonte dhe mbronte Karlon. Pasi dëgjoi çfarë transmetohej, i tha ta shkatërronte atë aparaturë, se mund t’i kushtonte kokën, nëse merrej vesh nga ata që ishin të interesuar për kësi veprimesh. Karlua u largua nga Shqipëria në vitin 1949, ishte robi i fundit që erdhi si armik dhe që iku si mik i shqiptarëve. Ndiej keqardhje që kurrkush nuk mësoi më tej për fatin e tij. Pra, shkolla u bë vatër e ngrohtë e dijes dhe atdhedashurisë. Aty gumëzhinte jeta e gjallë dhe entuziaste djaloshare, aty thureshin ëndrrat rinore për karrierën e ardhshme ushtarake, për shtigjet e panjohura që i prisnin. Prej asaj shkolle dolën breza ushtarakësh të zotë që morën më pas në dorë fatet e mbrojtjes së Atdheut. Por dolën edhe talente në letërsi, sport, art etj dhe që në këtë drejtim mund të quhet fidanishtja e ushtrisë shqiptare.

Më pas ku shkuat?

Në vitin 1951 drejtuesit e dikasterit të mbrojtjes kishin vendosur të rrisnin cilësinë e përgatitjes së kuadrove nëpërmjet zgjatjes së afatit të mësimit nga 6 muaj në dy vjet dhe të zgjedhjes së kandidatëve për oficerë jo më pak se me tre klasë të mesme. Ky kontingjent u sigurua nga shkolla “Skënderbej” dhe nga shkollat e mesme të vendit sipas kritereve rigoroze që kërkonte koha. Kur shkuam në Shkollën e Bashkuar na pyetën për degën që dëshironim të ndiqnim. Unë zgjodha shkencat politike, thënë ndryshe për punëtor politik. Grupi ynë përbëhej nga 25 vetë dhe përgjegjës zgjodhën shokun tim, Elham Kondon, i cili më vonë u bë një nga kuadrot e rëndësishëm të ushtrisë. Kuadrot e ciklit social-politik ishin nga më të përgatiturit e kohës. Oficerë madhorë me arsim të lartë, me jurisprudencë si Dhori Panariti, Gazmend Jusufati, Agron Como etj. Në këtë shkollë  2-vjeçare, në të njëjtën kohë vazhduam klasën e tretë dhe të katërt të shkollës së mesme. Aty hodhëm baza të qëndrueshme për të përvetësuar më pas shkencat politike që do të ishin profesioni bazë. Përveç këtyre kishim si disiplinë parësore pedagogjinë dhe psikologjinë e përgjithshme. Lëndët shoqërore gërshetoheshin me mësimet e artit ushtarak, kalitjen fizike dhe disiplina të tjera për të fituar shprehitë e ushtarakut të karrierës. Shkollën e përfunduam me rezultate të larta, gati 40 përqind me diplomë shkëlqyeshëm, midis tyre edhe unë, dhe stimul për këtë morëm një gradë më të lartë, atë të nëntogerit. Kjo formë ishte shumë nxitëse. Të gjithë u transferuam në reparte të ndryshme. Unë u emërova sekretar i Byrosë së Rinisë në Regjimentin e 18-të të këmbësorisë malore në Delvinë. Aty u emëruan edhe 12 oficerë të rinj. Ky regjiment ishte problematik, para disa vitesh ishte zbuluar një grup oficerësh dhe ushtarësh në shërbim të zbulimit grek, të cilët mendonin të arratiseshin. Në fakt nuk mësuam ndonjëherë deri më sot se sa e vërtetë ishte kjo histori. Por aty ishte bërë një batërdi e madhe. Ishin arrestuar shumë oficerë dhe ushtarë, 3 ose 4 ishin pushkatuar dhe shumë te tjerë ishin dënuar  me shumë vite burg. Drejtuesit e regjimentit ishin ulur në detyrë dhe shumë ishin transferuar. Me gjithë këto masa ne gjetëm akoma një atmosferë të rënduar dhe në pritje se çfarë do të ndodhte. Në regjiment vinin ekipe kontrolli të njëpasnjëshme nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme, bëhej thirrje për forcim vigjilence. Edhe kjo situatë ndikonte në gjendjen morale dhe psikologjike të gjithkujt.

Si ndodhi që shkuat me studime në Bashkimin Sovjetik?

Në vitin 1953 ushtria kreu një riorganizim me pikësynim të shkurtimit të efektivit dhe rritjes së mëtejshme të aftësive mbrojtëse duke u pajisur me teknikë të përparuar. Ndikimi i eksperiencës së ushtrisë ruse ishte i dukshëm, duke u vendosur këshilltarë rusë në çdo batalion. Ata merreshin jo vetëm me shtabet, por edhe me udhëheqjen e stërvitjes së efektivave në poligone dhe fusha stërvitje. Kjo më dha mundësi të thelloja dijet në gjuhën ruse dhe në shumicën e kohës të bëja edhe rolin e përkthyesit. Si çdo i ri në atë kohë, edhe unë kisha dëshirë që të studioja në BS. Çdo vit bëja 2-3 kërkesa për të fituar këtë të drejtë, por përgjigjja ishte e thjeshtë: “Ju kemi në evidencë”. Aty nga viti 1954 duke qenë në të njëjtën detyrë në Regjimentin e 17 në Pogradec, iu drejtova drejtorit qendror  të Drejtorisë Politike të Ushtrisë  me një lutje në gjuhën ruse, duke e mbyllur atë me shprehjen se nëse do të shkoj të studioj në B.Sovjetik, do të arrij rezultate të shkëlqyera. Siç mora vesh më vonë, lutja kishte rënë në dorë të kryekëshilltarit sovjetik të drejtorisë, i cili pa mëdyshje rekomandoi të më jepej bursa për studimet. Ai kishte një përfytyrim të sipërfaqshëm për mua, pasi në një seminar me kuadrot e ushtrisë në mungesë të përkthyesit të tij, më ra mua që të bëj rolin e përkthyesit. Ndoshta kjo rastësi më solli fat. Në fillim të vitit 1955 m’u dha bursa për të studiuar 5 vjet në Akademinë e Shkencave Politike me emrin “Lenin’ në Moskë.

Çfarë mbani mend nga Moska e asaj kohe?

Në vitin e parë të studimeve, i cili ishte përgatitor, ne u përkushtuam shumë tek mësimi i gjuhës. Kjo bëhej jo vetëm me librat, por edhe me aktivitete të ndryshme, ekskursione në vende historike, vizita dhe frekuentimi i teatrove, sallat e koncerteve, vizitat në galeritë e arteve figurative etj. Më ka bërë shumë përshtypje pallati i armëve, salla “Gjeorgjevskaja”, galeria e arteve figurative “Tretyakov”. Ajo ishte dhuratë e Pushtetit të Sovjetëve nga fisniku rus F. Tretyakov dhe kështu mbajti emrin e adhuruesit. Më ka mbetur në mendje edhe një tablo, më duket e Ilia Repinit, “Ivani vret të birin”. Një tablo e gjallë, tronditëse në një mjedis të trishto. Ivani i ulur në trung duket i penduar dhe djali i shtrirë sikur i rridhte akoma gjak nga zemra. Moska ishte plot e përplot me objekte dhe vende interesante. Kino-panorama çdo ditë jepte për vizitorët filmin “I madh është Atdheu ynë”. E ndieje veten ën avion si në katerin silurues dhe të krijoheshin ato ndjesi si të ishe tamam atje. Jo rrallë të shkaktoheshin të marra mendsh, të vjella, ose përgjumje. Aty duhet të qëndrojë në një pozicion, përndryshe figura në ekrane deformohej, sepse ishin ekrane me prizma. Planetarja e Moskës ishte një mrekulli dhe të krijohej përshtypja se fluturojë në hapësirë. a

Me cilët studentë kishin marrëdhënie të mira shqiptarët në Moskë?

Me të huajt më shumë lidheshim me bullgarët dhe gjermanët. Çdo kombësi ruante veçoritë e veta, psh gjermanët ishin shumë të përpiktë në zbatimin e rregullave që ishin vendosur në Akademi. Ishte akoma e freskët lufta midis rusëve dhe gjermanëve dhe aty-këtu ndihej kjo gjë në popull, sidomos tek rusët e thjeshtë kur pinin. Për këtë arsye gjermanëve iu rekomandohej që të mos shfaqeshin në mjedise të dyshimta. Në Vitin e Ri  1957 kapiteni gjerman Valter kishte shkuar në një kompanjë ruse (shoqëri) dy kate më lart dhomës së tij. Në orët e vona të natës, në gjendje gjysmë të dehur, përgjegjësi i tyre që ishte një kolonel, Shnajderi, konstatoi mungesën e kapitenit dhe pasi mësoi se ku ishte dërgoi dy kapitenë që ta merrnin. Valteri erdhi në humor festiv dhe nuk u bind. Atëherë koloneli dërgoi dy majorë që ta merrnin, por ai nuk erdhi përsëri dhe u kthye vetëm ndaj mëngjesit. Në këtë kohë koloneli filloi t’i kërkonte llogari për rastin dhe e goditi me grushte në fytyrë, ndërkohë që urdhëroi edhe dy oficerë të tjerë që ta rrihnin. E pësoi i mjeri Valter, u mor vesh ngjarja dhe bëri bujë të madhe në dekanat. Rusët donin ta shuanin jehonën e saj duke u justifikuar me traditat e popullit gjerman dhe se ajo ka ndodhur në kohën kur palët nuk kanë qenë shumë të kthjellëta. Situata nuk ishte aspak e qetë dhe shqiptarët protestuan për sjelljen e kolonelit dhe kërkuam që të gjykohej çështja në mbledhjen e fakultetit. Rusët nuk e pranuan dhe problemi u diskutua vetëm në grupin  gjerman. U mor vendim që pas pushimeve të dimrit kur secili shkonte në atdhe, të mos vinte më në Akademi koloneli Shnajder. Për kapiten Valterin shqiptarët mbetën miq të mirë.

Ku keni shërbyer pas kthimit nga Moska?

Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik kisha mësuar se isha emëruar komisar i skuadriljes së aviacionit supersonik gjuajtës në Rinas. Por do të nisesha përsëri në Bashkimin Sovjetik, por këtë radhë jo në Moskë, por në shkretëtirat e Karakumit, ku reparti që do të drejtoja po stërvitej për të realizuar qitje me raketa ajër-ajër. Një ditë sic isha i veshur me tuta sportive në Plepa më ndalet tek këmbët një Benz i zi dhe duke qenë anash nuk e pashë shenjën tek targat “TD”. Drejtuesi i mjetit mu drejtua rusisht: Kavaja para`? Unë iu përgjigja me dëshirë: Po! Pas 4-5 ditësh më dhanë urdhër për t’u nisur në Kuçovë (atëherë Qyteti Stalin). Isha emëruar instruktor i propagandës dhe kulturës në regjimentin e aviacionit atje. U trishtova shumë, por nuk kisha pse të ankohesha, përderisa nuk kisha njoftim zyrtar për në Rinas. Fillova punë punë një garnizon të njohur për mua. Kisha bërë dy praktika gjatë studimeve në akademi, shumë pilotë e inxhinierë  kishin qenë skënderbegas. Gjeta aty një mjedis të ngrohtë dhe shoqëri të mirë ushtarake, të kulturuar, trima dhe krenarë. Aty punova me shefin e degës politike kolonel Niko Dodbiba, një intelektual i formuar nga një familje fisnike elbasanase. Shumë raste të veçanta dhe aktet e guximit gjatë fluturimit  bëheshin objekt i punës për përpunimin psikologjik të pilotëve. Agim Vodopi fluturoi natën deri në Shkup, ndërkaq iu shkëput ndërlidhja me vendkomandën, karburanti po mbarohej. Bilal Sina, një pilot tjetër i ri, e uli avionin luftarak pa iu hapur rrota, Hektor Lako, u përplas në mal. Ka pasur shumë ngjarje të guximshme të pilotëve në atë kohë. Nga ana tjetër ata kishin një pedagog perfekt në artin e komunikimit dhe fluturimit. Kishin komandantin e talentuar, të mençur, vizionar dhe guximtar, kolonelin Niko Hoxha. Ai me shembullin personal duke rrezikuar edhe jetën e tij, eksperimentonte ushtrime të vështira ajrore të klasit të lartë në të gjithë kushtet e motit dhe errësirës. Në një ditë fluturimi në vendkomandën  avionëve u dëgjua zëri bariton i kolonelit:  Ju lutem, ia drejtua udhëheqësit të fluturimeve, vrojtoni pozicionin e avionit tim që po vjen me ulje dhe nëse konstatohet me sy humbja e shpejtë e lartësisë së tij? Avioni luftarak u ul pa zhurmë. Pilotët, por edhe të tjetër, e kuptuan se avioni ishte ulur me motor të fikur. Ai po eksperimentonte me jetën e tij mundësinë  e uljes me sukses edhe kur të mos kishte karburant mjaftueshëm. Niko Hoxha (1926-1968) e dha jetën për krenarinë e aviacionit. Me vetëflijimin e tij ai tregoi si nuk duhet vepruar, përndryshe e paguan me jetë. Kujtimi i atij komandanti të rrallë do të jetojë gjatë në brezat e aviatorëve dhe atyre që e kanë njohur.

A pati më transferime?

Në vitin 1966 filloi një teori e revolucionit kulturor të tipit kinez. Megjithëse ushtria e kishte marrë goditjen e parë që në vitin 1961 me shpërndarjen nëpër pika hapje nga 4-5 oficerë e ushtarë që qenë fshatarizuar. Koncepti ushtri e kazermës quhej e tejkaluar. Tentohej të gjendeshin forma të reja pune në stërvitje dhe edukim. Ushtria ishte shpërbërë, kishte humbur karakterin e organizimit, disiplinës, koncepti për të vepruar sipas rregulloreve, jo më në repartet gjitharmësh, por edhe në aviacion, marinë e tanke që ishin ruajtur strukturat e ushtrisë së rregullt. Në ushtri po futeshin nocione të reja, si vija e masave, dhënie llogari e kuadrove para ushtrisë, miratim i urdhrit të luftimit të komandantit në organizatën bazë. Letra e Hapur e Komitetit Qendror të PPSH i ligjëroi këto duke i thelluar më tej. U krijuan komitetet e partisë në ushtri, u hoqën gradat, ndryshoi uniforma. Në ushtri filloi të zbatohej parimi “mbështetje në forcat e  veta”. Ushtria u postua nga detyra kryesore, ajo e mbrojtjes. Quhej i nderuar ai kuadër komandues që prodhonte sa më shumë patate, presh e lakra, sesa ai që merrej me përgatitjen luftarake. Në çdo repart shikoje tufa me derra, dele e gjedhë. Vërehej një çoroditje marramendëse. Nuk gjeje dot mesataren e veprimeve. Në ushtri po thellohej shthurja, indisiplinimi, mungesa e kërkesës së llogarisë. Në zbatim të vijës së masave po lulëzonte liberalizmi. Kuadrot që guxonin të kërkonin rregull e disiplinë viheshin në darën e shtrëngimit si arrogantë e prepotentë, madje si shkelës të vijës së partisë, që shpesh i nënshtroheshin gjykimit në parti. Pikërisht në këtë situatë me plot paqartësi dhe pa rrugëdalje u transferova përsëri në Kuçovë, komisar i grupit inxhinier-teknik të aviacionit. Ishte një repart solid me raport oficer-ushtar një me një. Ishin mbi 120 oficerë, inxhinierë, teknikë e specialistë të avionëve. Po kaq ushtarë dhe mbi 30 nënoficerë aktivë, si mekanikë, mjeshtër për riparimin e avionëve etj. detyra jonë ishte të kryenim shërbimin e përditshëm teknik avionëve luftarakë, të kontrolloheshin dhe riparoheshin agregatet sipas afateve të parashikuara nga rregullorja teknike. Objektivi përfundimtar ishte avioni luftarak në çdo minutë të ishte në gatishmëri për të fluturuar dhe për të plotësuar detyrat luftarake.

Përsëri në rrugëtim?

Pas një viti pune me vështirësi e pengesa, madje edhe me një fatkeqësi të madhe familjare, pasi na vdiq Aida, vajza e vetme 3.5 vjeç për shkak të një pakujdesie në çerdhe: u helmua…Hidhërim që nuk shuhet kurrë…Unë u transferova përsëri. Me vendim të sekretariatit të KQ u emërova shef i degës politike në FUD (Forcat Ushtarake Detare), një formacion i stërmadh luftarak që mbulonte gjithë bregdetin shqiptar, rreth 400 km gjatësi. Eksperienca disavjeçare e kësaj njësie të madhe  kishte treguar se kishte shumë vështirësi në drejtimin dhe manovrimin e njësisë në rast situate luftarake. Kështu u vendos të ndaheshin dy korpuse: Korpusi i parë në Fier dhe i katërti në Tiranë, në ish komandën e FUD-së. Unë mbeta si shef i aparatit politik i korpusit që mbulonte zonën nga lumi i Bunës deri në Karavasta. Ishte njësia më e madhe dhe më e rëndë e ushtrisë shqiptare. Ajo përbëhej nga 16 njësi e reparte si: dy baza ushtarake detare në Durrës e Shëngjin, dy regjimente artilerie bregdetare, një brigadë tankiste, një brigadë artilerie e rëndë, dy regjimente kundërajrore, një grup raketa tokë-ajër dhe 7 brigada këmbësorie si dhe një zonë operative. Këto njësi i drejtonin dy gjeneralë-lejtnant nga më të aftët dhe kompetentët e ushtrisë shqiptare, përkatësisht Vaskë Gjino, komandant i zoti me mjaft vizion dhe eksperiencë sovjetike e evropiane që shpesh kishte përfaqësuar ushtrinë shqiptare në stërvitjet e mëdha të Traktatit të Varshavës. Ai vdiq në burg i dënuar me 25 vjet nga partia si “puçist” me grupin e gjeneralëve. Komisar ishte gjeneral-lejtnant Rrahman Parllaku, anëtar i KQ, deputet i Kuvendit Popullor, anëtar i kolegjiumit dhe këshillit të mbrojtjes. Kuadër me aftësi të rralla organizuese, vizionar dhe mjaft intuitë. Karakterizohej nga një modesti shembullore dhe aftësi të lartë depërtuese në botën shpirtërore të njerëzve. Ky kuadër drejtues ishte i vëmendshëm ndaj halleve dhe problemeve të njerëzve. Njëkohësisht ishte edhe këmbëngulës për zgjidhjen e tyre. Isha me fat që për katër vjet punova si zëvendës i tij duke mësuar shumë. Edhe eprori im u dënua me 25 vjet burg. Pas 17 vjetësh me triumfin e demokracisë doli i gjallë para afatit të burgimit dhe nga burgu trashëgoi një koleksion sëmundjesh të rënda si dhe dhimbjen për vdekjen e bashkëshortes gjatë kohës që ai ishte në burg.

Si u përjetuan materialet e plenumeve të KQ për problemet e ushtrisë?

Kur kujtoj plenumet e KQ-së për ushtrinë ndiej trishtim sepse padrejtësisht kemi mbajtur mbi shpinë një mal me fyerje, sharje e depersonalizim. Enver Hoxha dhe Byroja Politike me djallëzi nxitnin përçarjen dhe futnin në grindje ushtarakët e të gjithë rangjeve. Thirrja bëhej: Flisni hapur, për vete dhe për shokun. Ndihmoni partinë të fshijë me fshesën e hekurt kastën puçiste në ushtri. Në fillim u bënë aktivet e korpuseve (njësia ushtarake më e madhe). Të deleguar gjithmonë ishin anëtarë të Byrosë Politike. Në presidium vendoseshin i deleguari, komisari i korpusit dhe 4-5 komunistë të thjeshtë, mundësisht ushtarë, ose nënoficerë. Pas raportit kryesor vazhdonte lumi i pyetje kundra komisarit, më pas vazhdonin diskutimet e kuadrove drejtuese në njësi dhe përsëri pyetje në pafundësi. Shpesh bëheshin pyetje jashtë logjikës. Diskutohej me kritika të ashpra dhe propozime konkrete për ndëshkim, pa t’u dhënë mundësi të përgjigjeshe. Vije re një ligësi, hakmarrje dhe revansh për të rënë në sy si njeri parimor e besnik i partisë. Kështu morën lart e ngritën kokën dembelët, parazitët, karrieristët, spiunët e servilët. Normal, nuk kish punë pa gabime dhe ne nuk ishim “qelibar’, ama po ne aty kishim qenë dhe kishim bërë analiza, konkluzione, por asnjë nga këto “trimosha” nuk ishte ngritur të shprehte të kundërtën e konkluzioneve tona. Një oficer komunist në diskutimin e tij tha: “Unë mendoj për Mediun se ai ka gabuar, por them se do të ketë më shumë se sa kaq. Ai ka studiuar në Bashkimin Sovjetik”. U ngrita të vërtetoja të kundërtën, por ishte e pamundur. Kështu mbledhjet dhe diskutimet vazhduan në brigada, batalione e organizata bazë, në to merrnin pjesë edhe rezervistë. Çfarë nuk thuhej e çfarë nuk shpifej aty. Kjo zallamahi zgjati rreth 6 muaj, pastaj filluan spastrimet. Unë zbrita në detyrën e  komisarit të brigadës në Durrës, por edhe aty nuk më lanë rehat, por vazhdoi rrëshqitja deri sa në vitin 1982, vetëm 46 vjeç më nxorën në lirim me 60 përqind pension. Kërkova të shkoja në skajin më të largët të rrethit, ose në veri të vendit për të punuar si mësues. Kjo e drejtë më jepej për shkak të diplomës që kisha. Asnjë përgjigje. Në vështirësi të mëdha ekonomike mendoja si do ti shkolloja djemtë. Djalin e madh me mesatare 9.3 e caktuan në fakultetin e gjeologjisë. Me shumë përpjekje me ndihmën e shefit të arsimit Eqerem Shehu arrita ta çoja për ekonomik. Gjatë gjithë kësaj kohe qëndroja i vetmuar pa komunikuar me njerëzit për t’iu shmangur çdo provokimi.

Jeni marrë me përkthime, përse kryesisht me krijimet e Shpendi Topollaj?

Me fitoren e demokracisë gjërat ndryshuan. Unë kisha ruajtur po ata shokë të paktë që kisha pasur edhe më parë. Ndër këta shokë besnikë ishte edhe Shpendi Topollaj. Shpendi është shkrimtar i talentuar dhe poet Lasgushin. Krijimet e tij janë të arrira. Ai është një tregimtar i mrekullueshëm. Unë kam përkthyer në rusisht “Lotët e zambakut”, që flet për fatin e një çifti oficer shqiptar martuar me lituaneze. Ai roman nuk ishte vetëm për dy personazhet Luftari dhe Lila, por për fatin e shumë familjeve me gra të huaja që përjetuan drama të ngjashme me atë të Lilës. E gjithë kjo ndodhi për shkak të përzierjes së politikës. Kam përkthyer edhe novelën “Pushkatimi” të shkruar me shumë art nga Shpendi. Si temë është e ngjashme me të parë. I kushtohej inxhinier, major Thoma Rafaeli, i cili u pushkatua se donte të shkonte te vajza dhe gruaja e tij në Ukrainë. Kam përkthyer në rusisht novelën e bukur të shkrimtarit dhe mikut tonë të ndjerë Bido Ibrahimi “Valsi i Sevastopolit”. Në gjuhën shqipe kam përkthyer nga rusishtja “Idiotin” e Dostojevskit të ekranizuar me dhjetë seri si edhe filmin “Lindje-Perëndim”. Po ashtu kam përkthyer edhe “Skënderbeun” një novele historike, interesante e letrarizuar me autor gjeneral Jani Lufi, ish shoku im i fëmijërisë, i cili me prishjen e marrëdhënieve me B. Sovjetik, mbeti atje. Ai me gradën kapiten studionte në akademinë “Frunze”. Pas studimeve shërbeu në ushtrinë sovjetike me profesionalizëm e devotshmëri duke marrë edhe gradën e gjeneralit. Sot banon në qytetin e Krasnodarit në Rusi dhe mbajmë korrespodencë duke rifilluar shoqërinë e kahershme.

 

CV / Mehdi M. Ramohitaj

Lindur në 15.3.1934 në Tragjas të Vlorës

1940-1952 nxënës

1952-1954 oficer, nxënës (grada nëntoger)

1955-1960 student në Akademinë e Shkencave Politike Moskë, grada kapiten

1960-1961 oficer në aviacion në Qytetin Stalin, grada kapiten

1961-1966 oficer në drejtorinë politikë të ushtrisë, grada major

1966-1967 oficer në aviacion në Qytetin Stalin

1967-1975 zv/komisar Korpusi IV Tiranë

1975-1976 komisar brigade Durrës

1976-1978 komisar batalioni Kullë, Sukth

1978-1982 shef i shtëpisë së oficerëve Durrës

1982-6 muaj komisar batalioni Krapen Kavajë

1982-2 muaj nënoficer magazinier pranë ShLU të fabrikës së letrës Kavajë

1982 lirim nga ushtria për shkak të mangësive biografike. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/